Edhe pse me një ide ende të paqartë, të paktën për publikun, sa i përket koalicioneve, Lëvizja Socialiste për Integrim duket se në fushatën e ardhshme kryefjalë të saj do të ketë punësimin e qytetarëve. Këtë e ka konstatuar kreu i LSI-së Ilir Meta gjatë një takimi me struktuarat e kësaj partie në Kavajë, ku deklaroi se punësimi është çështja primare e programit të LSI.
“LSI e gatshme për sfidat e 2013-ës, LSI është promotore e proceseve integruese të vendit. Punësimi është çështja primare e programit tone. Ruajtja e vendeve të punës dhe shtimi i vendeve të reja do të jetë sfida e LSI për të ardhmen” tha ai.
Teksa ka apeluar edhe njëherë politikën të heqë dorë nga betejat e kota politike dhe të kthejë vëmendjen te ekonomia, Meta gjithashtu ka vlersuar nismën e qeverisë për heqjen e TVSH-së për makineritë, duke e konsideruar një impuls i fuqishëm për punësimin.
Ndërkaq Kryetari i LSI nuk ka lënë pa përmendur dhe rolin e të rinjve në këtë fushatë elektorale si dhe në zhvillimin e vendit, ku i cilësoi si simbol të ndryshimit dhe të ecjes më shpejt.