Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi të enjten se reforma në drejtësi ka përfunduar dhe se grupi parlamentar i LSI-së ishte i gatshëm ta votonte që dje draftin e ekspertëve të paketës së ndryshimeve kushtetuese.
“Nga dita e djeshme reforma në drejtësi ka përfunduar. Them se ka përfunduar pasi ajo ka qënë mjaft e mirëpritur. Kemi pritur fjalën përfundimtare të Komisionit të Venecias që u dha para dy muajsh dhe pritëm dhe draftin e përgatitur nga ekspertët e EURALIUS dhe të OPDAT-it, për disa çështje që nuk ishin shteruar në mënyrë të plotë nga Venecia”, theksoi Meta.
Grupi i LSI, vijoi ai, është bërë gati ta votoje këtë variant dhe këtë reformë nga dita e djeshme dhe jo sot.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka punuar që reforma të përfshinte sa më shumë aktorë, jo vetëm opozitën, pasi besoj se gjithëpërfshirja ka qënë një dimension i padiskutueshëm i kësaj reforme.
Ne mund t’i vazhdojmë debatet dhe për shumë vite të tjera, por jemi të ndërgjegjshëm se çdo minutë që kalon është kundra nesh dhe rrezikon progresin e axhendës sonë në raport me Bashkimin Europian per ardhjen e një rekomandimi sa më të shpejtë për çeljen e negociatave” theksoi Meta.
Këto mesazhe, nenvizoi ai, u bënë të qarta edhe gjatë vizitës në Tiranë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini dhe Komisionerit Hahn, ndaj në këtë drejtim mendoj se tani duhet të ecim drejt procedurave parlamentare për ta votuar këtë reformë.
I pyetur për kërkesën e opozitës që kërkoi më shumë kohë për këtë çështje, Meta u përgjigj se nuk ka arësye qe të paragykoje dhe as të vëre në dyshim vullnetin e tyre(opozitës). “Por, ju them edhe njëherë se grupi parlamentar i LSI-së, në çdo moment që do të kërkohet votimi i reformës në drejtësi votat tona do të jenë për këtë variant përfundimtar të draftit të paketës së ndryshimeve kushtetuese, deklaroi kreu i Kuvendit.
Deklaratat e kryeparlamentarit u bënë pas homazheve që ai zhvilloi paraditen e sotme në Varrezat e Dëshmorëve te Kombit me rastin e 5 Majit.
Një ditë më parë ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së i përcollën klasës politike shqiptare mesazhe të forta paralajmëruese për reformën në drejtësi dhe pasojat që do të kishte vendi në rast dështimi të miratimit të saj.
