Meta: E majta del me 80 mandate nga zgjedhjet, vendosni gurin tuaj

redaktor

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka çelur fushatën në qyetin e Fierit, ku prezantoi edhe kandidatët e saj për deputetët në këtë qark. Kreu i LSI, Ilir Meta, ndërsa shprehu bindjen se do jetë pikërisht kjo forcë që do sjellë rotacionin politik, deklaroi se “Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të dalë fituese me 80 mandate në 23 qershor. Andaj, theksoi ai, secili qytetar ka rastin të vendosë gurin e tij për të hedhur themelet e një republike Kushtetuese.

“Ne jemi këtu më të shumtë dhe të bashkuar sepse ju besoni te LSI, është garanci për rrotacionin e sigurtë të 23 qershorit. 23 qershori është beteja mes të ardhmes dhe së shkuarës, stanjacionit dhe zhvillimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit. Jam i bindur se Fieri do votojë me bindje dhe zemër LSI. LSI do jetë ajo forcë që do të bashkëpunojë dhe do përfshijë në politikat e sat të gjithë intelektualët e Fierit me apo pa parti. Jam i bindur se këta janë njërëzit që do ta cojnë më përpara vendin. Në 23 qershor ne kemi përgjegjësinë dhe privilegjin historik që secili të vendosë gurin e tij për të ndërtuar themelet e një republike kushtetuese dhe lënë pas një republikë të ndryshkur kryeministrore” deklaroi Meta.

Kreu i LSI ka ftuar shqiptarët ti kundërvihen të gjitha presioneve të votës së lirë, duke i garantuar ata se dielli që do lindë në 23 qershor do tu takojë të gjithëve.

“Ju ftoj ti kundërviheni të gjitha presioneve ndaj votës së lirë. Nuk ka asnjë shans ai dhe kushdo tjetër që ngre dorë mbi të ardhmen tuaj, të ngriheni mbi pasigurinë, varfërinë, indiferencën dhe talljen e Kryeministrit në ikje. Le të veprojmë dhe vrapojmë sot drejt zhvillimit. Shqipëria ka diell për gjithë shqiptarët dhe dielli që do lindë në 23 qershor do tu takojë të gjithëve” theksoi ai.

Meta më tej nënvizoi se vendit i duhet një lidership që shikon relaitetin në sy dhe u jep dorën të gjithëve, për të ecur kështu më shpejt drejt një modeli të ri ekonomik.
“Jemi për të rikthyer shpresë, për të shëruar plagët e papunësisë, kuruar ekonominë, për të arsimuar të rinjtë tanë. Në 23 qershor, Fieri, Lushnja dhe Mallkastra dhe gjithë shqiptarët do u japin fund përrallave të doktorit në botën e çudirave. Shqipëtarët duan një lidership që shikon realitetin në sy, që i jep dorën të gjithëve për të ecur përpara më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe mirëqënies, duan një lidership që s’bën lista prezence për mitingjet, që nuk ozurpon pushtetet, që ti udhëheqë drejt integrimit, një lidership që s’mendon për grabitjen e zgjedhjeve të radhës. Duam të ecim më shpejt drejt një modeli të ri të zhvillimit, që ul koston e kreditimit të sipërmarrjes së lirë, që përmirëson shërbimet publike” deklaroi Meta.

Meta prezantoi dhe planin 5 pikësh të LSI, në funksion të punësimit të fierakëve dhe mbarë shqiptarëve.

“Ne kemi një plan punësimi me 5 prioritete të qarta. Duke transformuar dhe modernizuar në vecanti bujqësinë. Do shumëfishojmë grantet dhe subvencionet. Angazhohemi për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion ndër më tërheqësit, duke ndërtuar resorte ndër më cilësoret. Kam një pyetje për gjithë ju? Më thoni se cfarë investimi serioz në këto 8 vite është bërë në bregdetin e Fierit, si ka mundësi që plazhet e mrekullueshme të lihen në mëshirë të fatit, kur kanë vlera të mëdha turistike dhe kurative. LSI do ulë me 10% të TVSH për operatorët turistikë. Shqiptarët më shumë shpenzojnë jashtë shtetit për turizëm sesa fitojnë nga zhvillimi i turizmit në vend, ka qenë një ndër dështimet më të mëdha të qeverisë dhe një potencial i pazhvilluar. Jemi të angazhuar të clirojmë këto potenciale, jemi të angazhuar për ti kthyer Fierit gjallërinë e dikurshme, angazhohemi për një reformë industrial, për të ndërtuar në Fier dhe Lushnje parqe industriale me qëllim rritjen e punësimit. Shqipëria është e pasur me burime natyrore, sdo lejojmë që të jetojmë si njerëz të varfër sipër një toke mjaft të pasur. Fierakët duhet ti gëzohen burimeve të tyre. Kemi nevojë për një lidership që pasuritë kombëtare ti menaxhojë me efikasitet dhe transparencë dhe jo duke lënë në rrugë minatorë pa punë dhe pensione” përfundoi kreu i LSI, Ilir Meta.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *