Meta i jep titullin “Kalorës”, Ambasadorja kroate: Do ju mbështesim në rrugën e BE

J L

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekoroi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ambasadoren në ikje të  Republikës së Kroacisë në vendin tonë Sanja Bujas-Juraga, gjatë një ceremonie  të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit.

Meta i dorëzoi ambasadores këtë titull me motivacionin:“Për veprimtarinë e spikatur diplomatike dhe kontributin thelbësor në funksion të marrëdhënieve të shkëlqyera, tashmë të një partneriteti strategjik, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, në pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore e historike ndërmjet dy popujve tanë, si dhe për mbështetjen e çmuar ndaj procesit të integrimit evropian të vendit tonë.”

Meta vuri në pah dhe vlerësoi veprimtarinë diplomatike dhe kontributet e Ambasadores Bujas-Juraga për thellimin, forcimin e pasurimin e marrëdhënieve dypalëshe të përfaqësues diplomatike të shtetit kroat si dhe mbështetjen për integrimin europian të vendit tonë.

Gjatë fjalës së saj ambasadorja kroate Sanja Bujas-Juraga deklaroi se Kroacia mbështet rrugën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“E kam të vështirë të gjej fjalët për t’u shprehur se sa krenare ndihem për këtë vlerësim që më keni bërë. Është një vlerësim i madh për mua, por gjithashtu edhe për vendin tim dhe familjen time.

Gjatë këtyre 4 viteve në Shqipëri mund të them se kam qenë e privilegjuar të shërbej si Ambasadore e Kroacisë në vendin tuaj dhe kam qenë dëshmitare se si marrëdhëniet tona historike janë përmirësuar edhe më tej dhe që marrëdhëniet bilaterale vazhdojnë të intensifikohen.

Dua të përmend këtu edhe interesin që ju keni shfaqur për komunitetin e Arbanasve të Zarës, duke i vizituar në Kroaci dhe pastaj duke i ftuar të vizitojnë tokën e të parëve. Shqiptarët kanë ndihmuar kroatët në momentet më të vështira dhe të më rëndësishme të historisë dhe Kroacia nuk do ta harrojë kurrë këtë.

Shqipëria është në një moment kyç dhe pret çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe dua t’ju siguroj se Kroacia do të jetë një partner i fuqishëm dhe i besueshëm, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen kur negociatat të hapen dhe ne do të ofrojmë me kënaqësi ekspertizën tonë më të mirë”, përfundoi fjalën e saj ambasadoja kroate.

j.l./ dita

Share This Article
1 Comment
  • Shyqyr që dekoruat dikë që e meriton , se s’latë ballist e tradhëtar pa dekoruar , si Like Floriri ashtu dhe Jari Çibani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *