Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shprehu sot bindjen se maxhoranca dhe opozita do të përfundojë me sukses miratimin sa më shpejt të paketës kushtetuese për reformën në drejtësi.
Megjithë mosarritjen e një marrëveshje dje në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi, Meta tha se baza e konsensusit për këtë është shumë më e gjerë dhe solide dhe vjen nga vullneti i më shumë se 90 për qind të shqiptarëve që janë për shkundjen e sistemit të drejtësisë, përmes një reforme të thellë.
Të gjithë e kanë pranuar dhe e vlerësojnë opinionin e Komisionit të Venecias si bazën e referimit dhe të çertifikimit të standardeve më të mira europiane, ndaj tani na duhet më shumë vullnet për të qenë më racionalë, për ta përmbushur me sukses këtë reformë, deklaroi Meta për gazetarët.
I pyetur për pretendimet e ngritura nga Partia Demokratike për paketën e ndryshimeve kushtetuese, kreu i Kuvendit u përgjigj se nuk kemi të bëjmë me 11 kushte, por me 10 çështje që Partia Demokratike synon të zgjidhen apo diskutohen sipas këndvështrimit që ajo ka. Kjo, sipas tij, do të thotë se “me më shumë durim dhe vullnet, absolutisht është e mundur që reforma të përmbyllet ,pasi për çdo çështje të diskutueshme që palët ndajnë lexime të ndryshme, kemi rekomandimet e Komisionit të Venecias”.
Për Metën, nuk ishte e prapritur që në mbledhjen e djeshme të komisionit të posaçëm palët nuk gjetën mirëkuptim. “Dje ishte mbledhja e parë pas ardhjes së opinionit përfundimtar të Venecias dhe të gjithë kanë shprehur pikëpamjet e tyre. Jam dakord me deputetin Spartak Braho që për 90 për qind të paketës ka dakortësi, ndërsa për 10 për qind të saj ka nevojë për një vlerësim sa më objektiv dhe racional. Përgjegjës për reformën në drejtësi, për ta sjellë atë në parlament është komisioni, i cili ka të drejtën të kërkojë mendimin dhe angazhimin e ekspertëve”, deklaroi kryeparlamentari.
Qëndrimi i LSI-së, sipas tij, është që kjo reformë duhet të përmbyllet sa më shpejt duke respektuar rekomandimet dhe standardet që ka përcaktuar Komisioni i Venecias dhe duke demonstruar vullnetin për t’i lexuar rekomandimet në mënyrë sa më racionale, të përgjegjshme dhe konsensuale, në mënyrë që reforma të jetë sa më funksionale.
