Kreu i LSI-së ka lëshuar një tjetër kritikë drejt kryeministrit Berisha. Një ditë pas kritikave për mungesën e investimeve në qarkun e Beratit, Meta ka përkrahur dje deklaratën e ambasadorit amerikan, i cili u shpreh se lojërat me deklarata nacionaliste janë të rrezikshme, duke iu referuar fjalimeve me nota nacionaliste të kryeministrit Berisha.
“Kohët e fundit aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të fokusuar në etnicitetin për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme. Tensionet etnike nëse zgjohen njëherë, janë të vështira, në mos të pamundura për t’u parashikuar ose kontrolluar. Është e domosdoshme që personat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë”, deklaroi ambasadori Arvizu.
Ndërkohë, duke folur nga Rrogozhina, Ilir Meta, përkrahu qëndrimin e ambasadorit Arvizu duke bërë thirrje që të shmangen spekulimet me natyrë nacionaliste. Meta theksoi se LSI-ja synon integrim dhe jo konflikte.