Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar kërkesë zyrtare kryeministrit Edi Rama për të konfirmuar se cilat bashki kanë mbetur pa kryetar në kuadër të zhvillimet të zgjedhjeve lokale të pjesshme.
Në letrën e tij, Meta ‘sulmon’ kryeministrin, ku thotë se edhe pse ka kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga ana tjetër nuk e ka informuar presidentin zyrtarisht dhe sipas ligjit se në cilat bashki ka vende vakante.
Kreu i shtetit kërkon nga Kryeministria që t’u përgjigjet dy pyetjeve: të plotësojë informacionin me të dhënat se cilët janë kryebashkiakët të cilëve u ka përfunduar mandati dhe shkaqet e përfundimit të mandatit të parakohshëm të tyre.
PJESË NGA LETRA E PRESIDENTIT ILIR META DREJTUAR KRYEMINISTRISË:
Referuar neneve 61 dhe 62 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, sipas të cilave rregullohet procedura dhe parashikohen organet që bëjnë konstatimin e përfundimit të parakohshëm të mandatave të Kryetarëve të Bashkive, në rast të dorëheqjes, shkarkimit, apo të humbjes së jetës, kërkojmë nga ana juaj plotësimin e informacionit të sjellë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, shprehet sekretari i Përgjithshëm i Presidencës. Dy kërkesat që Presidenti kërkon informacion janë:
– Kush janë saktësisht ato Njësi të Qeverisjes Vendore – Bashki, (përpos informacionit të sjellë nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve) në të cilat përgjatë kësaj periudhe 30 qershor 2019 – Janar 2022, sipas informacionit, vlerësimit dhe vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave, Kryetarëve të Bashkive u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme.
– Cili është shkaku ligjor dhe akti përmes të cilit është realizuar përfundimi i parakohshëm i mandatit dhe për plotësimin e të cilit është i nevojshëm organizimi i zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Sipas KQZ pa kryetar janë vetëm tre Vora, Dibra dhe Shkodra dhe jo gjashtë siç është pretenduar nga Presidenti. KQZ thotë se nuk kanë asnjë informacion për Lushnjen, Rrogozhinën dhe Durrësin.
a.m/dita
