Meta: LSI, prioritet pjesëmarrjes së grave në politikë

redaktor

Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar kandidaten për deputete në Njësinë 1 në Tiranë, Klajda Gjosha.

Në fjalën e tij, kryetari i LSI-së, Ilir Meta theksoi se banorët e kësaj zone janë më të bindur se asnjëherë tjetër më parë në fitoren e LSI në 23 qershor në Njësinë 1 në të gjithë Tiranën dhe në të gjithë Shqipërinë.

Ndërkaq, kryetari i LSI-së theksoi se ky komunitet ka probleme të veçanta sociale dhe se ka nevojë për një deputete, e cila të jetojë me shqetësimet e tyre, e cila të kujdeset çdo ditë me hallet dhe problemet e tyre.

“Jam i bindur se Klajda do ta përfaqësojë me shumë dinjitet dhe përkushtim Njësinë 1 në Kuvendin e ardhshëm. LSI i jep një prioritet të veçantë si asnjë parti tjetër pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën politike, sepse pjesëmarrja në rritje e vajzave dhe grave në jetën politike është garancia kryesore për përfaqësimin e denjë dhe të duhur në shoqëri në familje në të gjithë jetën ekonomike e shoqërore të grave dhe vajzave në të gjithë vendin, vijoi Lideri i LSI-së. Ndaj duke votuar për Klajdën, ju keni votuar që zëri i vajzave, grave dhe nënave të gjithë kësaj njësie të dëgjohen më me forcë në kuvendin e ri të Shqipërisë”.

Sakaq, për Liderin i LSI-së prioritet kryesor është punësimi, sidomos i grave dhe vajzave dhe sipas tij për këtë arsye do t’i jepet në mbështetje të veçantë bizneseve që punësojë garat dhe vajzat. “Ne do t’i japim një mbështetje të veçantë punësimit në të gjithë bizneset, sidomos sa i takon biznesit fason, sa i takon të gjitha bizneseve në fushën e shërbimit, në mënyrë që ne të arrijmë të shtojmë vendet e reja të punës sidomos për gratë dhe për vajzat”, shtoi Meta.

Kryetari i LSI-së shtoi më tej se me politikat e veçanta stimuluese të LSI do të arrihet që brenda 4 viteve bizneset që iniciohen dhe drejtohen nga vajzat dhe gratë e Shqipërisë të dyfishohen deri në 35 %.

“Këto janë politikat më të mira dhe më efikase, të cilat rrisin pavarësinë ekonomike dhe sociale të grave dhe të vajzave, që rrisin dinjitetin e tyre në familje, në shoqëri dhe kudo. Jam i bindur se komuniteti juaj i mrekullueshëm do t’i japë një mbështetje të jashtëzakonshme LSI-së, jo vetëm këtu në zemër të Njësisë 1, por edhe në Shkozë, atje ku problemet janë akoma dhe më të mëdha dhe kudo tjetër në çdo zonë të njësisë tuaj”, përfundoi Meta.

Share This Article
1 Comment
  • Genje te genjejme sepse ka dhe te pamarrevesh qe s’kuptojne genjeshtren, qofte dhe kjo zonjeze kaq e vemendshme sikur e degjon per here te pare dhe e gazellon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *