Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti Ambasadorin e ri të Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler, të cilit i uroi suksese në detyrën e re.
Pasi vlerësoi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Austrisë, Meta theksoi se Kuvendi, duke marrë në konsideratë ekspertizën dhe eksperiencën e kompanive austriake, mbështet rritjen e investimeve austriake në vend.
Ambasadori i Austrisë, Johann Sattler shprehu kënaqësinë për fillimin e detyrës së re në Tiranë dhe u shpreh se mbeten ende shumë potenciale ekonomike, tregtare e kulturore që duhen shfrytëzuar, aktivitete për të cilat Ambasada do të punojë fort në bashkëpunim me aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë të Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit, Meta shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe vlerësoi mbështetjen austriake në avancimin e të gjitha reformave kyçe që i shërbejnë zhvillimit institucional dhe ekonomik të vendit.
