Duke folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kreu i LSI-së Ilir Meta është shprehur se forca politike që ai drejton shkon në këto zgjedhje në një situatë shumë më të favorshme seç ishte në vitin 2009.
“Tani është një situatë tjetër, LSI ka përfaqësues në KQZ dhe në përfaqësues në procesin e administrimit të zgjedhjeve”, tha Meta duke nënvizuar se në zgjedhjet e kaluar LSI ka humbur 2 mandate për pak vota, një në Tiranë dhe një në Elbasan.
Për koalicionin e zgjedhjeve të 2013-s, Meta shprehet se, “do bëjmë sondazhet dhe testimet që bën çdo forcë politike” dhe më pas do të vendosë për mënyrën se si do të paraqitet para elektoratit. Ai theksoi se, “është një mundësi reale” që LSI të mos jetë në një koalicion me Partinë Demokratike, me të cilën qeveris pas zgjedhjeve të 2009-s.
“Për forcat reja politike që përpiqen të afirmohen është gjithmonë për të qenë më vetë, për të treguar dhe forcuar identitet e tyre politik. Se këto janë projekte afatgjata, nuk kanë të bëjë thjeshtë me zgjedhjet e radhës”, u shpreh Meta.
Meta la të hapur mundësinë e një bashkëpunimit me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve. “Besoj se të gjithë këto hamendësime janë të parakohshme por në çdo rast LSI do të jetë e angazhuar për stabilitetin e institucioneve dhe për të kontribuar në procesin e integrimit evropian”, tha ai.
Ju keni deklaruar nga Pogradeci sot se po 29 nëntorin 1944 nuk do të mund të kishte 28 nëntor të 1912. Qeveria nuk ka parashikuar asgjë për festimet me 29 nëntor. Cili është komenti juaj?
Natyrisht që ne do të kemi programin tonë për datën 29 nëntor, por thelbi i qëndrimit tim sot por edhe në raste të tjera, derisa jemi në kuadër të 100 vjetorit dhe e gjithë vëmendja i kushtohet 100 vjetorit të pavarësisë e cila është se vepër kaq e madhe historike e Ismail Qemalit dhe e gjithë patriotëve të tjerë e cila u realizuar me 28 nëntor të vitit 1912. Padyshim pa 29 nëntorin e vitit 1944 nuk do të ishte ajo që është sot, sepse Shqipëria e humbi pavarësinë dhe sovranitetin e saj në 7 prill të vitit 1939 për shkak të pushtimit fashist dhe pavarësia u rifitua dhe sovraniteti u rivendos më 29 nëntor të vitit 1944, pas 5 vitesh rezistencë dhe luftë kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë. Dhe natyrisht që ne të gjithë jemi të ndërgjegjshëm dhe nuk duhet të harrojmë këtë përpjekje të jashtëzakonshme e cila bëri të mundur që jo vetëm të mbrohet, të ruhet 28 nëntori, por ne të kemi këtë vazhdimësi të suksesshme në përgjithësi si shtet dhe të festojmë dhe 100 vjetorin e pavarësisë. Sepse dimë se në rast se lufta antifashiste nuk do të kishte qenë e suksesshme dhe lufta antifashiste nuk do të kishte qenë fituese në Shqipëri, atëherë pa asnjë diskutim Shqipëria do të ishte ndarë, do të ishte copëtuar nga fqinjët dhe aleatët e tyre.
Mazhoranca duket sikur gjithmonë e më tepër ngre figura që kanë qenë kundër luftës ose kundër asaj pjesë që ju festoni dhe nuk i bëhet shumë jehonë çlirimtarëve me të cilët ju festoni.
Në radhë të parë unë mendoj se politika nuk duhet të shpenzojë shumë energji dhe politikanë në këtë betejë për të evokuar historinë, apo edhe më keq, për ta ribërë atë.
Kjo është një kritikë për z. Berisha?
Jo, kjo është për të gjithë. Çdo politikan duhet të përqendrohet më shumë tek zgjidhjet që kërkon vendi, sepse përdorimi i historisë për qëllime politike apo edhe elektorale, sepse edhe zgjedhjet nuk janë shumë larg, nuk është i dobishëm. Por absolutisht në këto 100 vite është e rëndësishme që të jemi realistë dhe të evidentojmë vlerat më të mira të gjithë periudhave të rëndësishme të vendit, të gjithë personaliteteve të rëndësishme të vendit, të mos i shohim bardh e zi si në të kaluarën në varësi të regjimit, sistemit apo partisë në pushtet; dhe njëkohësisht të mësojmë edhe nga gabimet që 100 vitet që vijnë të jenë 100 vite të ndritura për Shqipërinë dhe për kombin tonë.
A u përgatitën festimet e 100 vjetorit me tërë rëndësinë që e meriton edhe nga qeveria edhe nga mazhoranca, në përgjithësi nga e gjithë klasa politike?
Mendoj se është bërë një organizim i rëndësishëm. Natyrisht mund të kishte një konsensus më të gjerë, mund të kishte një gjithëpërfshirje më të konsiderueshme për sa i takon gjithë axhendës, aktiviteteve e kështu me radhë. Megjithatë, absolutisht edhe në qoftë se shikoni mediat, shumë aktivitete, shumë angazhime që tregon se rëndësia është maksimale.
Duket sikur ndryshe nga vendet e tjera që planifikojnë ne improvizojmë. A u duk sikur improvizuam dhe po improvizojmë edhe ne 100 vjetorin. Sepse kalendari i festimeve zyrtare vetëm pak ditë më parë ka dalë, ndërkohë që për 25 vjetorin e për 50 vjetorin kanë filluar përgatitjet rreth dy vjet përpara?
Kjo nuk është thjesht një dukuri shqiptare, është dhe pak mesdhetare. Por, pavarësisht se nga çdo vërejtje që mund të bëhet dhe sado organizmi i përkryer të jetë, pasi diçka përfundon gjithmonë gjen diçka për të përmirësuar për të ardhmen apo që duhet të ishte bërë më mirë. E rëndësishme është që këto ditë, që janë dhe ditët më kulmore, në prag të 28 nëntorit, të ketë një përqendrim, një bashkim energjish, vullnetesh pozitive për të realizuar në 28 nëntor një manifestim tepër dinjitoz.
Është debatuar shumë nga opozita dhe mazhoranca se ku do ishte kryeqyteti i festimeve, do ishte Tirana apo do të ishte Vlora? Ju si forcë e tretë ku do jeni në 28 nëntor, do jeni në Tiranë apo do jeni në Vlorë?
Ka patur një përpjekje për të krijuar idenë e një ndarje, ide e panevojshme por edhe kjo mendoj për qëllime politike të ngushtë partiake. Unë e kam theksuar me kohë se kryeqendra e Shqipërisë në 28 nëntor është Vlora, edhe jo e Shqipërisë por e gjithë kombit, sepse ngjarjet e mëdha të historisë lidhen me vendin ku ato ndodhin. Dhe unë besoj se nuk ka ndodhur rastësisht në Vlorë edhe shpallja e pavarësisë. Ndaj dhe momenti më i rëndësishëm është ai i ngritjes së flamurit që ka ndodhur si çdo vit, në datën 28 nëntor paradite në Vlorë, ku besoj se do të marrin pjesë të gjithë, ku festimet kanë filluar prej kohësh, unë sot i pashë festimet në Pogradec, nesër do të jenë në Tetovë, pasnesër në Shkup, të gjithë të tjerët janë tërë kohën në mënyrë intensive kudo, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Preshevë, sepse është një festë që e feston i gjithë kombi kudo ndodhet, nuk mund të vinë 12, 15 milionë shqiptare të gjithë në Vlorë në 28 nëntor. Por unë besoj që të gjithë përfaqësuesit më të lartë të politikës do të jenë atje në datën 28. Unë mendoj se më e rëndësishme ka qenë dhe mbetet ngritja e flamurit në 28 e cila ndodh në Vlorë.
z. Meta ka tërhequr vëmendjen therja e 100 deshëve dhe qingjavae, si ju duket?
Nuk e di në është e vërtetë dhe cila është simbolika, por kjo nuk është më e rëndësishmja. më e rëndësishmja në Tiranë është që pikërisht që përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut kanë ardhur këtu për herë të parë dhe po vizitohen nga një numër rekord qytetarësh. Pastaj këto çështje të tjera janë të karakterit gastronomik nuk mendoj se janë më të rëndësishmet.
Ka pasur shumë kritika në lidhje me simbolet që po përdoren këtë vit, ka pasur disa devijime të flamurit tonë kombëtarë nga ajo që përcakton ligji për simbolet kombëtare. Si ju duket ky debat dhe a do të jeni më të vëmendshëm në këtë pikë?
Absolutisht që po do të jemi më të vëmendshëm dhe duke mos qenë ekspert i këtyre detajeve mendoj që këto janë çështje që duhet të zgjidhen por dhe nuk fitojmë gjë edhe në raport me njëri tjetrin, dhe në raport me të tjerët duke i theksuar njëherë e me pasion dhe kënaqësi këto gabime që nuk janë të qëllimshme në çdo rast. Por sigurisht që janë të të papranueshme nëse e vërteta është kjo që thoni ju.
A duhet të ishim edhe nga pikëpamja estetike më të kujdesshëm ndaj festës së 100-vjetorit të pavarësisë?
Kjo është një festë e cila ka dalë edhe nga kontrolli i bashkisë në një farë mënyre, apo i qeverisë sepse në mënyrë spontane vetë qytetarët vendosin flamuj apo simbole të tjera në ballkonet e tyre, pranë dyqaneve të tyre në mënyra të ndryshme. Forca të caktuara politike apo shoqata njëkohësisht ndërmarrin iniciativa të tyre. Natyrisht nuk duhet të presim një perfeksion nga pikëpamja estetike, por e rëndësishme është që pjesëmarrja në gjithë këto dekorime është e jashtëzakonshme dhe kryesorja është që i gjithë ky angazhim dhe e gjithë kjo përfshirje tregon që ka një rritje të krenarisë kombëtare dhe kjo është tepër pozitive.
Si e konsideroni faktin që në këtë 100-vjetor po kryhen edhe inaugurime të busteve ?
Festa ende nuk ka filluar në atë kulmin e saj dhe do të na duhet të reflektojmë ndoshta disa javë më pas. Por, natyrisht që duke qenë 100-vjetor, duke qenë një jubile i jashtëzakonshëm është momenti për të evidentuar, për të çmuar, për të respektuar shumë figura të shquara të kombit dhe unë mendoj se kjo është mjaft pozitive.
U tha se do të ndërtohej stadiumi i ri i futbollit për 100-vjetorin e pavarësisë, por nuk u bë, u tha për ndërtimin e parlamentit të ri, por nuk bë. Si i gjykoni këto zhvillime?
Për mendimin tim, më mirë që nuk janë bërë. Duke pasur në konsideratë situatën e përgjithshme ekonomike – financiare të vendit e cila është një rezultat edhe i situatës së përgjithshme rajonale- evropiane, globale delikate. Mendoj se investimi në projekte të tilla, të cilat janë të rëndësishme, do të ishte një kosto e lartë për vendin dhe për qytetarët në momentin aktual. Natyrisht që për këtë 100-vjetor ne nuk mund të shpjegohemi para qytetarëve shqiptarë se përse nuk u përmbushën detyrimet që kanë të bëjnë me statusin e vendit kandidat. Kjo do të ishte një lidhje shumë e bukur midis festimeve të 100-vjetorit dhe marrjes së statusit të vendit kandidat.
Si e konsideroni miratimin nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian të rezolutës për Shqipërinë, ku këshillohet dhënia pa vonesë e statusit të vendit kandidat?
Padyshim është treguesi i një vullneti pozitiv që ka Parlamenti Europian, që kanë gjithë grupet kryesore atje, të majtë apo të djathtë. Por, ne nuk kemi plotësuar tre detyrimet dhe natyrisht që nuk mbetemi shumë optimistë për dhjetorin. Pra, këtu po mund të gjejmë një lidhje që mund të na shqetësojë. Por, se nuk u bënë disa objekte të rëndësishme nuk është problem, mund të bëhen më vonë në një situatë të favorshme.
A jeni ju dakord me këtë mënyrë, me këtë rishikim dhe me këtë ringritje të figurës së Ahmet Zogut pas kaq vitesh dhe pikërisht në kulmin e përgatitjeve për festimin e 100-vjetorit?
Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha janë dy figura kryesore të historisë së Shqipërisë në këto 100 vite për arsye edhe të faktit se kanë përcaktuar epokat e qeverisjes edhe ndër vite. Dhe sigurisht që kur flitet për këto 100 vite, flitet duke filluar nga Ismail Qemali, për shkak të aktit q kreu dhe që simbolizon edhe një vullnet të të gjithë patriotëve shqiptarë të asaj kohe por edhe të gjithë figurave të tjera sipas peshës që ato kanë pasur përgjatë 100 viteve. Kështu që ka qenë e pashmangshme mendoj unë që të mos diskutohej edhe për Ahmet Zogun dhe mendoj se kjo është një figurë që duhet të rivlerësohej pas vitit 1990 por nuk ka arsye të mbivlerësohet.
Është nënvlerësuar apo mbivlerësuar?
Mendoj se aktualisht kemi qenë në periudhën e mbivlerësimit. Mendoj se shumë gjëra ne kemi mësuar gjatë periudhës së komunizmit që janë të pavërteta. Lidhur me këtë figurë e cila ka disa merita të veçanta të cilat janë që për herë të parë Shqipëria, edhe pse ishte shpallur e pavarur në vitin 1912, garantoi integritetin e saj tokësor pas Kongresit të Lushnjes dhe ai ishte një figurë kryesore në këtë kongres, ishte ministër i brendshëm i cili praktikisht vendosi kontrollin në të gjithë territorin e vendit. Dhe më pas nuk mund të vihet në diskutim edhe fakti që ka të bëjë me konsolidimin e disa institucioneve të shtetit shqiptar me përpjekjen për të krijuar një elitë intelektuale, një legjislacion modern për kohën, njëkohësisht edhe fakti që ai nuk e pranoi as ultimatumin dhe as pushtimin. Përsëri është e rëndësishme që të thuhet që përgjatë gjithë kësaj periudhe ai qëndroi në bllokun antifashist. Por absolutisht nuk duhet të harrojmë që është një figurë, të cilën historia e ngarkon me shumë përgjegjësi për eliminimin e shumë figurave të tjera që nga Hasan Prishtina, që nga Luigj Gurakuqi, që nga Riza Cerova, Avni Rustemi e shumë personalitete të tjera të kohës patriotike. Megjithatë ne nuk duhet të harxhojmë shumë energji në këtë drejtim. Ne nga çdo figurë, nga çdo personalitet duhet të evidentojmë dhe të vlerësojmë anët më pozitive por duhet të ruajmë sensin e masës sepse më pas në vend që të bëhet një rivlerësim, kalojmë në një konflikt i cili nuk i shërben askujt.
Aktin e Ahmet Zogut në 7 prill ’39, ku folëm për luftën e dytë botërore dhe vlerësimi që ju keni për 29 nëntorin, si e konsideroni këtë akt, akt tradhtie?
Mendoj se ai ishte një akt dobësie sepse pavarësisht se nuk pranoi pushtimin, mendoj se ato përpjekje që bëri për të krijuar shtetin do të tregonte se do të ekzistonte një potencial për të bërë një qëndresë më të fortë, më të fuqishme.
Ka pasur një polemikë me një figurë tjetër që ju e përmendet, me Avni Rustemin, ku sheshit që mbante këtë emër u kërkua ti ndryshohej emri me propozim të PDIU-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës. LSI-ja ka qenë kategorikisht kundër këtij akti. Pse ky qëndrim?
Nuk ka asnjë lidhje kjo me raportet tona me PDIU-në dhe nuk mendoj se ka qenë qëllim i kësaj partie për të hequr bustin e Avni Rustemit por ka qenë një kërkesë e tyre që një shesh i rëndësishëm në Tiranë të quhet “Çamëria. Kjo është një kërkesë e drejtë që po realizohet. Natyrisht që ne kemi qenë kundër dhe jemi kundër sepse është e vërtetë që në atë shesh është vrarë Avni Rustemi, ai shesh prej kohësh mban emrin Avni Rustemi dhe natyrisht që ide të tilla sjellin një konflikt të panevojshëm por edhe nuk ndihmojnë për qëllimet që paraqiten. Çfarëdolloj emri që t’i vihet sheshit “Avni Rustemi” do të thotë të gjithë që do të takohemi tek “Avni Rustemi”. Në atë shesh është vrarë një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.
Si e komentoni ndërhyrjen e disa politikanë shqiptarë në këto kohë për rishikimin e historisë?
Ka nevojë për rivlerësim por jashtë ndikimit të politikës. Kërkohet një rivlerësim në bazë të fakteve, mbi bazë të dokumenteve.
Më 29 nëntor përveçse do shkoni në “Varrezën e Dëshmorëve” si çdo vit çfarë do bëni?
Do të shkojmë tek familjet e dëshmorëve dhe aktivitete të ndryshme.
Z. Meta patët ju një rol si LSI për ta përshpejtuar dhe për të qenë katalizator për procesin e integrimit?
Angazhimi ynë ka qenë gjithmonë konstruktiv, nxitës në drejtim të bashkëpunimit pro qëndrimet e të gjitha palëve janë të bëra publike. Ne nuk mund të ndryshojmë as PD-në dhe as PS-në dhe natyrisht ato nuk mund të na ndryshojnë neve. Ajo që ne kemi në dorë të bëjmë është të sillemi në mënyrë evropiane, të vendosim interesat e vendit në plan të parë, të përdorim logjikën, të mos ngatërrojmë prioritetet dhe të demonstrojmë që jemi të pjekur për ta merituar statusin e vendit kandidat si klasë politike. qytetarët tanë absolutisht që e meritojnë. Këtë e treguan me liberalizimin e vizave. Shqipëria dhe qytetarët tanë treguan që janë model në rajon. Atëherë pse politika tre gjëra të thjeshta të mos i bëjë? Problemet nuk mund të vendosen si pengesa pasi janë gjëra që nuk kanë lidhje.
Sipas LSI-së si zgjidhet ky moment?
Ky nuk është për të dhënë një zgjedhje apo për të bërë gjyqtarin. Këto tre detyrime nuk ka asnjë arsye që të kushtëzohen nga një pretendim qoftë edhe plotësisht i drejtë. Statusi është për Shqipërinë dhe nuk është as për Berishën, as për Metën dhe as për qeverinë. Është për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ky interes duhet të kishte prehaluar dhe duhet të prevalojë mbi çështjet e tjera, të drejta apo të padrejta. Nuk ka të drejtë askush ta kushtëzojë statusin me interesa të tjera.
A ka negociata për ta zgjidhur çështjen e Fierit? Ka pasur një ide për përfshirjen e EURALIUS-it apo jo?
Nuk kam dijeni për këtë. Nuk mund të bëjë komente.
Mund të prodhonte diçka tryeza që u përfol për të zgjidhur këtë çështje?
Ka qenë e gjithë koha e mjaftueshme për të treguar vullnet për të ecur në drejtimin e duhur. Natyrisht që qëndrimet e palëve janë publike dhe publiku e gjykon vetë. Ne jemi për gjithçka për ta zgjidhur këtë çështje. Unë mendoj se bashkëpunimi është i pashmangshëm pavarësisht se është vonuar. Kjo sepse vendi e kërkon këtë gjë, qytetarët shqiptarë e kërkojnë këtë gjë, partnerët tanë e kërkojnë këtë gjë dhe është e rëndësishme që ky bashkëpunim të vendoset sa më shpejt. Është një konflikt i panevojshëm politik, për të mos thënë artificial për të përfituar elektoralisht në zgjedhjet e vitit 2013 në dëm të interesave të vendit.
Ka pasur një reagim nga opozita e cila thotë se si do ta miratojmë një ligj për Gjykatën e Lartë, kur vendimet e saj, nëse një prej të cilëve, ajo e Fierit nuk zbatohet?
Nuk mendoj se kjo e justifikon këtë lloj lidhjeje, sepse në rast se do të bënim lidhje të tilla, këtu nuk do të miratohet asnjë lloj ligji, nuk do të miratohet as buxheti sepse do të themi që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka probleme, ka keqmenaxhime e kështu me radhë. Dhe nuk mendoj se funksionon më ky lloj pretendimi.
A ka ndonjë mundësi, deri në 13 dhjetor ku mblidhet Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, të miratohen këto tre ligje nga Parlamenti Shqiptar?
Nuk kam shumë shpresa që në këto dy javë do të ndodhë ajo që nuk ndodhi këto tre muaj por le të shpresojmë.
Këtë javë presidenti Nishani zhvilloi konsultime me përfaqësues të partive kryesore politike për kryeprokurorin e ri të përgjithshëm. Sipas LSI, mandati i kryeprokurores Ina Rama përfundon në 22 nëntor apo në 23 maj 2013?
Nuk është e rëndësishme për mua kjo çështje. Nuk është e rëndësishme sepse unë nuk jam anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe si i tillë ne na ka ardhur një pretendim dhe do na duhet të shqyrtojmë. E rëndësishme është që presidenti në momentin që ndërmerr një iniciativë, të ketë bërë të gjitha konsultimet e nevojshme dhe të ketë bindjen e qëndrueshme se kur përfundon ky mandat.
Ju a keni ekspertë në parti për këtë çështje? Keni z. Braho për shembull
Kur të vijë propozimi nga ana e presidentit, natyrisht do të ketë edhe një relacion besoj.
Kam të dhëna sipas të cilave LSI-ja përgatitej të mblidhte forumet për tu konsultuar në lidhje me këtë çështje.
LSI-ja në kohën e duhur do të bëjë konsultimet e saj për të mbajtur një qëndrim.
A nuk ka kaluar koha, sepse nëse presidenti dekreton prokurorin e ri, ç’kuptim kanë pastaj?
Natyrisht që ka kuptim sepse në momentin që presidenti e dekreton ai edhe e motivon këtë veprim dhe natyrisht që më pas lind e drejta e cilitdo që është aktor në këtë proces si pjesë e parlamentit, përfshirë edhe LSI-në për të bërë konsultimet e nevojshme dhe për mbajtur qëndrimin që do duhet të mbajë.
Keni diskutuar ju me z. Berisha në lidhje me profilin dhe emrin e kandidatit të ri për kryeprokuror të republikës?
As nuk jam konsultuar, as nuk kam folur ndonjëherë për këtë çështje dhe as nuk më duket e arsyeshme apo e nevojshme për arsye se kjo është një çështje midis presidentit dhe parlamentit.
Ju sot e dini emrin e prokurorit të ri të republikës?
Absolutisht. Unë di vetëm që znj. Ina Rama vazhdon të jetë prokurore.
Nëse presidenti e dekreton emrin dhe motivacionin, ju cilin profil apo emër nuk do ta pranonit si kryeprokuror të vendit? I referohem këtu LSI-së si forcë politike.
Nuk do të ketë qëndrim personal dhe nuk është se jemi mbledhur dhe kemi diskutuar në lidhje me këtë çështje. Por, opinioni ynë i përgjithshëm është që prokurori i ardhshëm duhet të garantojë integritetin dhe pavarësinë e institucionit nga ndikimi politik. Integriteti do të thotë që të jetë një institucion në lartësinë e detyrës.
Presidenti i Republikës ka deklaruar se do ta firmosë dekretin për kryeprokurorin e ri menjëherë pas 28 nëntorit. A mendoni se është koha e duhur?
Kjo është diçka që i takon presidentit.
Presidenti i Republikës ka zhvilluar gjithashtu konsultime me partitë politike parlamentare edhe mbi përcaktimin e datës së zgjedhjeve. Edhe në këto konsultime, edhe në ato për kryeprokurorin nuk kishte ftuar partinë Fryma e Re Demokratike. Jeni dakord ju me këtë qëndrim?
Unë mendoj se do të ishte më mirë që të ishte e përfshirë në konsultime për arsye se dhe ata kanë një përfaqësues në Parlament.
A do të ishte më mirë që të ishte dekretuar shumë parë data e zgjedhjeve për të përgatitur më mirë infrastrukturën e zgjedhjeve?
Unë mendoj se KQZ-ja ka filluar nga puna. Të gjithë e dinë pak a shumë se kur është data e zgjedhjeve, një javë para, një javë prapa kjo nuk është më e rëndësishme, por i rëndësishëm është vullneti i forcave politike për të mos e politizuar problemin e administrimit të procesit zgjedhor dhe KQZ-ja të jetë sa më efecientë.
Tirana dhe Fieri është përcaktuar që këtë radhë numërimi të bëhet në mënyrë elektronike, por për këtë duhen zgjedhur firma, ekspertë, duhen trajnuar njerëzit pasi është për herë të parë dhe mos dështojnë, PS e provoi por dështoi. LSI e aplikoi por funksionoi. Kështu që mos duhet shpejtuar kjo gjë?
Ne jemi gati të ofrojmë eksperiencën tonë. Ata e kanë shprehur interesin pas votimit elektronik që ne zhvilluam i cili ishte vërtet një model transparenca por edhe efikasiteti. Pra, në momentin që voton personi i fundit, për 5 minuta printohet i gjithë rezultati.
Sa kohë iu nevojitën ju dhe njerëzve tuaj për tu përgatitur që të aplikohej kjo infrastrukturë teknologjike të numërimit ?
Ka qenë një ekspert amerikan, i cili ka administruar të gjithë këtë proces, që ka trajnuar një staf për shumë pak kohë sepse ka qenë gjatë gjithë kohës në komandën e procesit.
Keni filluar punën për llogaritjet elektorale për fitimin e mandateve në zgjedhjet e 2013 sepse keni pasur disa probleme në 2009 ?
Po kemi pasur. Është eksperienca e parë me këtë sistem.
Çfarë bëtë gabim atëherë kur mund të kishit marrë maksimumin?
Mund të kishim përqendruar dhe mund të kishim marrë më shumë në qarqet më të mëdha por dëshira për të qenë të pranishëm kudo prevaloi mbi racionalitetin që imponon ky sistem. Por është një histori tjetër.
Sa mandate mendoni se keni humbur nga kjo mungesë racionaliteti?
Minimumi dy mandate të sigurta. Njëri në Tiranë për 1000 disa vota dhe tjetri në Elbasan po për kaq. Por, kjo nuk është e rëndësishme sepse ishte një atmosferë tjetër pasi duhet të kemi parasysh që LSI-ja u përjashtua përmes kodit të asaj kohe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe arrogante nga procesi i administrimit zgjedhor. Tani është një situatë tjetër, LSI-ja ka komisionerë, ka përfaqësues të tjerë në KQZ sepse ata që i iniciuan ato ndryshime të Kodit më pas reflektuan dhe përllogaritja e forcave, e energjive dhe e shfrytëzimit maksimal të sistemit për të arritur rezultatin më të mirë është detyrë e çdo force politike dhe natyrisht është detyra jonë dhe e imja si kryetar i LSI-së.
Pra, këto lexime tashmë i keni bërë?
I kemi bërë me shumë vëmendje.
Në cilin qark do të përqendrohet znj. Monika Kryemadhi në zgjedhjet e ardhshme?
Kjo është një pyetje që i takon asaj.
Dhe strukturave?
Normale