Meta: Bashkëpunimi politik dhe reformat, me rëndësi kyçe për integrimin

anazapta

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Francë, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit dje në Paris nga Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Francës, Claude Bartolone, me të cilin biseduan mbi forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës, ecurisë së integrimit evropian dhe zhvillimeve në rajon. Presidenti Bartolone shprehu kënaqësinë e pritjes së Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Meta në Paris, veçanërisht pas zhvillimeve pozitive gjatë muajve të fundit në Shqipëri, duke vënë në dukje zhvillimin e zgjedhjeve, tranzicionin e pushtetit dhe klimën e bashkëpunimit në Parlament. Bartolone theksoi se Franca i ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit politike në Shqipëri duke theksuar se vizioni i Francës është për një Bashkim Evropian me Ballkanin Perëndimor të integruar plotësisht. Në këtë kuadër, ai theksoi se vullneti i forcave politike për bashkëpunim konstruktiv dhe vendosmëria e qeverisë për avancimin e reformave, janë kyçe për integrimin evropian. Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti i Asamblesë Kombëtare diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar rolin konstruktiv dhe pozitiv të Shqipërisë ndaj fqinjëve të saj dhe shqiptarëve që jetojnë në këto vende, dhe duke theksuar se perspektiva e qartë e integrimit evropian e forcon stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të të gjitha vendeve të rajonit.

Meta dhe Bartolone ndanë bindjen se marrëdhëniet mes Francës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera duke nënvizuar nevojën e forcimit të mëtejshëm të shkëmbimeve politike, ekonomike dhe kulturore. Z.Meta u shpreh se “Shqipëria është vend aktiv i Frankofonisë, dhe e mirëpresim një përfshirje më të madhe të Francës në vendin tonë dhe në rajon”.

Në këtë kuadër u shpreh vullneti jo vetëm për thellimin e shkëmbimeve ndër-parlamentare, por edhe për intensifikimin e angazhimeve të përbashkëta ndërkombëtare, ku u vu në dukje kontributi i të dy vendeve në kuadër të Unionit Mesdhetar. Bartolone bëri një vlerësim të veçantë për përkushtimin e Shqipërisë ndaj Frankofonisë.

Në kuadër të pritjes në Asamblenë Kombëtare të Francës, Kryetari i Kuvendit z.Ilir Meta ishte i ftuar edhe në një drekë pune shtruar nga Kryetarja e Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri znj.Viviane Le Dissez në Asamblenë Kombëtare, gjatë së cilës Meta diskutoi me deputetët anëtarë të grupit mbi intensifikimin e marrëdhënieve ndër-parlamentare dhe mbi rritjen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

 

Share This Article
1 Comment
  • KY PO QE ESHTE POLITIKAN

    TRALALA, INTEGRIMI, KUR VJEN RASTI VIDH NDONJE SHUFER FLORIRI NGA THESARI I SHTETIT, MERR NDONJE BAKSHISH “TE VOGEL” SA PER MIRE, DHE KONKLUZIONI ESHTE QE MIRE JEMI NE, JA GJERAT PO ECIN VETE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *