Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta mori pjesë në mbrëmjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë. Pritja u organizua nga Ambasadori shqiptar në Kosove, Qemal Minxhozi me qëllim promovimin e kulturës dhe të produkteve shqiptare.
Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga bashkëshortja e tij, njëkohësisht edhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Monika Kryemadhi si dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti.
Kryetari i Kuvendit Meta zhvilloi disa takime të rëndësishme me aktorë të jetës politike në Kosovë, akademikë si dhe me trupin diplomatik të akredituar në Prishtinë.
Gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, Kryetari Meta i përcolli urimet më të përzemërta për detyrën e re. Nga ana e tij, Kadri Veseli falënderoi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. Meta dhe Veseli theksuan nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Një takim i veçantë ishte dhe ai me akademikun z. Rexhep Qosja si dhe me shumë personalitete të tjera të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Kryetari i Kuvendit u takua me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj me të cilin biseduan për zhvillimet politike në të dy vendet dhe ndanë bindjen për intensifikim e marrëdhënieve të mëtejshme mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua edhe me Ambasadore e SHBA-ve në Republikën e Kosovës, Tracey Ann Jacobson , ku u bisedua rreth zhvillimeve më të fundit në Kosovë dhe në rajon.
