Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vizitoi sot një kompleks blegtoral në Torovicë të Qarkut të Lezhës. I shoqëruar dhe nga zv/Ministri i Bujqësisë, Alban Zusi dhe deputetë të grupit parlamentar të LSI-së të Qarkut të Lezhës, Meta u njoh më nga afër me investimin e kryer në këtë kompleks blegtoral me 250 gjedhë, një investim modern që pritet të rrisë në të ardhmen edhe kapacitetet përpunuese të qumështit bazuar mbi teknologjinë më të avancuar të kohës.
Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta garantoi se mbështetja shtetërore do të jetë gjithmonë për ata që do të investojnë në bujqësi dhe në blegori. Meta theksoi se paketa e re fiskale stimulon në mënyrë të veçantë zhvillimin e komplekseve të tilla blegtorale duke ulur ndjeshëm kostot.
“Për mua është një kënaqësi e veçantë që vizitoj një kompleks të tillë blegtoral, plot ambicie për të ardhmen. Mbi të gjitha, jam shumë i kënaqur që shoh këtu që po ndërtohet edhe një baxho mjaft moderne me teknologjinë më të avancuar për ta mbyllur të gjithë ciklin e prodhimit e të përpunimit brenda këtij kompleksi. Do të rrisë dhe do të motivojë akoma më shumë drejtuesit e këtij kompleksi për të zgjeruar, për të hyrë në treg në mënyrë të sigurt dhe të suksesshme dhe me produkte mjaft konkurruese sikurse u shpjegua këtu dhe sikurse do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Paketa e re fiskale stimulon në mënyrë të veçantë zhvillimin e komplekseve të tilla blegtorale, pasi ajo ul në mënyrë të ndjeshme kostot, sidomos sa i takon kostos që ndikon në përmirësimin e rracës këtu në vend për të rritur prodhimin dhe për të shkuar drejt atij objektivi, i cili ka të bëjë jo vetëm me reduktimin e importeve që janë ende shumë të mëdha për produktet blegtorale në vend, por me plotësimin e të gjitha kërkesave të tregut vendas dhe njëkohësisht me fillimin e eksportimit të produkteve shqiptare blegtorale në tregjet ndërkombëtare”, theksoi Meta.
Kryetari i Kuvendit kërkoi prej Ministrisë së Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore që të informojnë ata që duan të investojnë në bujqësi dhe në blegtori për lehtësirat fiskale dhe për mundësinë e zhvillimit dhe të rritjes më të shpejtë tëkëtij sektori që do të ndikojë edhe në rritjen e punësimit.
Zv/ Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, z. Alban Zusi prezantoi disa prej risive të paketës së re fiskale që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në fushën e blegtorisë.
- Alban Zusi deklaroi se në paketën e re fiskale çmimet e referencës së produkteve që vijnë nga jashtë rishikohen totalisht duke shkuar te çmimi real. Zv/ Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave tha se në të njëjtën kohë është hequr taksa doganore për ndërzimet artificiale dhe materialin gjenetik elitar që vjen nga jashtë dhe që deri tani taksohej me 10 për qind të taksës doganore.
