Presidenti Meta theksoi se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Në këtë kuadër janë të mirëpritura përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”, – tha Presidenti Meta.
Gjithashtu, kreu i Shtetit shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës do të vijojnë të përfaqësojnë interesin më të mirë të Kosovës në dialogun me Serbinë. Po ashtu, Meta inkurajoi bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, që kanë patur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës dhe afirmimin e saj ndërkombëtar.
Një tjetër pikë diskutimi ishin vizat. E ndërsa Edi Rama e cilësoi si turp faktin që BE-ja ende nuk ka liberalizuar vizat, Ilir Meta theksoi se është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më parë. Në fund, presidenti Meta i premtoi kryeministrit Hoti se edhe kësaj vere do të promovojë më kënaqësi bukuritë natyrore të Kosovës dhe shprehu besimin se më shumë turistë nga Kosova do ta vizitojnë Shqipërinë.
