Kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Itali, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komisionit të Politikave të Bashkimit Evropian në Senatin Italian z. Vannino Chiti, të cilët kanë biseduar mbi forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pa ndalur të Italisë ndaj procesit te integrimit evropian te Shqipërisë dhe theksoi se përpjekjet e vendit tonë janë përqendruar tek avancimi i axhendës së 5 prioriteteve, duke u fokusuar ne reformën kyçe të sistemit të drejtësisë.
“Vlerësoj arritjet e Shqipërisë, siç u evidentuan edhe në progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian. Italia do të qëndrojë gjithnjë pranë Shqipërisë për avancimin e axhendës evropiane të vendit tone dhe të të gjithë rajonit”, theksoi ai.
Meta dhe z. Chiti diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet rajonale dhe ndanë bindjen se takimet trilaterale mes Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë i shërbejnë forcimit të dimensionit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë drejtim, z. Chiti bëri një vlerësim të veçantë për përqasjen konstruktive dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s gëzon me të gjithë fqinjët e saj. Kjo përqasje, vuri në dukje z. Chiti, merr një rëndësi të veçantë veçanërisht në këto momente sfidash për sigurinë evropiane. /Dita/
