Meta takon Thaçin: Parlamenti në shërbim të njohjeve të Kosovës

Elton Tafaruci

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë ka takuar edhe kreun e Kuvendit Ilir Meta, i cili i garantoi se diplomacia parlamentare shqiptare mbetet në shërbim të shtimit të njohjeve dhe afirmimit të mëtejshëm të shtetit të Kosovës.

Në njoftimin e zyrës së shtypit të Kreut të Kuvendit thuhet se gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi mes dy qeverive respektive dhe u konfirmua mbështetja e Shqipërisë në forcimin e perspektivës euro-atlantike dhe forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë, në interes të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajonin tonë.

Presidenti i Kosovës  Hashim Thaçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pandalur të Shqipërisë dhe vlerësoi kontributin e Kuvendit në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit dypalësh dhe në forumet ndërkombëtare ku Shqipëria është e pranishme.

Thaçi theksoi gjithashtu se intensifikimi i bashkëpunimit në fushat e agro-përpunimit, bujqësisë dhe infrastrukturës do t’i shërbejë rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe turistike mes dy vendeve tona.

Në përfundim Kryetari Meta dhe Presidenti Thaçi diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, duke ndarë bindjen e përbashkët se si Shqipëria ashtu edhe Kosova mbështesin heqjen e barrierave dhe forcimin e ndërlidhjes rajonale në interes të sigurisë, paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *