Ndërsa afron stina e nxehtë, shumë janë ata që u drejtohen palestrave, qendrave të dobësimit apo dietave të rrepta. Por para të gjitha këtyre, ajo që duhet të bëni janë disa llogari të thjeshta për të njohur më mirë trupin tuaj.
Metabolizmi bazë është sasia minimale e energjisë, që organizmi përdor për të kryer funksionet kryesore gjatë ditës. Duke pasur parasysh nevojat energjetike që ka trupi i secilit individ, përllogaritja e metabolizmit bazë bëhet thelbësore për përcaktimin e një diete të përshtatshme, në mënyrë që të kuptohet në mënyrë të saktë për sa kalori ka nevojë çdo person, në mënyrë që të arrihet pesha ideale.
Çfarë është
Duhet mbajtur parasysh se për një individ që nuk vuan nga asnjë sëmundje, vlera e metabolizmit bazë përllogaritet rreth75 për qind energji e shpenzuar. Me rritjen e moshës, kjo sasi zvogëlohet me 1.8 për qind çdo 10 vjet. Por ne kemi mundësinë ta shmangim këtë rënie, duke iu dedikuar në mënyrë të rregullt aktivitetit fizik. Tek meshkujt, metabolizmi bazë është më i lartë se të femrat. Nëse ky metabolizëm është i ngadaltë, mund të përshpejtohet përmes disa strategjive të thjeshta që ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të mbipeshës.
Për të arritur këtë qëllim shërben si thelbësore stërvitja të paktën 3 herë në javë. Momenti ideal për të bërë stërvitje është mëngjesi. Ndërkohë, duhet bërë kujdes me ushqyerjen, duke konsumuar shumë lëngje dhe duke zgjedhur fibrat dhe proteinat në vend të karbohidrateve, të cilat treten më ngadalë. Për të arritur këtë, mund të konsumohen çaji jeshil, qumështi dhe derivatet e tij, me kusht që të kenë nivel yndyre të reduktuar.
Dieta e ndjekur bën pjesë në grupin e elementëve që ndikojnë te metabolizmi. Të tjerë faktorë me rëndësi janë rritja e temperaturës trupore apo asaj të jashtme, proceset hormonale, shtatzënia, ushqyerja me gji, ankthi, përdorimi i ilaçeve si qetësuesit apo stimuluesit.
Duke pasur parasysh këto kushte, mund të bëhet një shumatore e konsumit kalorik gjatë ditës me metabolizmin bazë, duke marrë vlerat e metabolizmit total.
Përllogaritja
Për përllogaritjen e metabolizmit bazë ekzistojnë disa tabela që bazohen në një formulë specifike. Një prej mënyrave (për meshkujt) është ajo e quajtur Harris – Benedict 66,5 + (13,75 x pesha kg) + (5,003 x gjatësia cm) – (6,775 x mosha në vite).
LARN 18 – 29 vjeç – 15,3 x pesha në kg + 679
LARN 30 – 59 vjeç 11,6 x pesha kg + 879.
Për femrat Harris – Benedict 655,1 + (9,563 x pesha kg) + (1,850 x gjatësia cm) – (4,676 x mosha vite),
LARN 18 – 29 vjeç: 14,7 x pesha kg + 496
LARN 30 – 59 vjeç: 8,7 x pesha kg + 829
