Mici: Duam Europën përmes kampionatit

redaktor

Pas kualifikimit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë te Kukësi është rikthyer harmonia dhe mbi të gjitha besimi se skuadra e Klodian Duros i ka të gjitha mundësitë për ta përfunduar në mënyrën më të mirë këtë sezon.

Në prag të duelit shumë të rëndësishëm ndaj Partizanit në kampionat, në kampin verilindor janë besimplotë se kjo është ndeshja e duhur për të mposhtur të kuqtë brenda në kryeqytet dhe për të thyer kështu një tabu.

Sipas mbrojtësit të majtë të Kukësit, Gledi Mici, skuadra verilindore nuk do ta tentojë kualifikimin në Kupat e Europës vetëm nëpërmjet Kupës, por do të përpiqet të bëjë më të mirën edhe në kampionat.

“Kualifikimi në Kupë ishte shumë i rëndësishëm për ne, sepse ky kompeticion është rruga më e shkurtër për të shkuar në Europë. Gjithsesi ne jemi të përqendruar tani në kampionat, sepse ndeshjen e radhës në Kupë do ta luajmë në 6 prill. Do ta tentojmë Europën edhe nëpërmjet kampionatit, pasi edhe pse Tirana është 6 pikë larg, janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur dhe çdo gjë është e arritshme”, pohon Mici.

Pas ndeshjeve të mira ndaj Partizanit në kryeqytet, Mici mendon se ka ardhur koha që Kukësi të largohet me një fitore nga “Qemal Stafa”.

“Gjithmonë në kryeqytet ndaj Partizanit kemi luajtur jashtëzakonisht mirë, por nuk kemi dalë nga fusha me atë rezultat që do të dëshironim.

Këtë ndeshje e kemi përgatitur më mirë dhe mendoj se do të përqendrohemi më shumë te rezultati sesa te loja e bukur, sepse na interesojnë pikët.

Do të bëjmë gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Partizanit”, deklaroi mbrojtësi 25-vjeçar, i cili më pas theksoi se verilindorët nuk i tremben asnjë kundërshtari: “Ne nuk i trembemi asnjë kundërshtari, por gjithsesi Partizani është një skuadër me emër të madh dhe me lojtarë cilësorë.

Megjithatë frikë nuk e kemi, sepse synimi ynë në çdo ndeshje janë tre pikët si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Kukësi është një skuadër me lojtarë cilësorë dhe këtë gjë do ta tregojë të hënën në fushë”.

Jo vetëm kampionati, por edhe Kupa. Pas dy finaleve të humbura fitimi i kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në vend është objektivi parësor i Kukësit në këtë sezon.

Në gjysmëfinale si një ish-lojtar i Flamurtarit, Mici nuk do të dëshironte të përballej me vlonjatët dhe për këtë ai e ka një arsye: “Do ta dëshiroja në finale Flamurtarin”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *