Mici: E vlerësojmë Teutën, por fitorja detyrë për Kukësin

redaktor

Nënkampionët e Shqipërisë janë nisur mesditën e sotme drejt Kukësit për të kryer stërvitjen e fundit në vigjilje të përballjes me Teutën në “Zeqir Ymeri”. “Djemtë e detit” kanë surprizuar në dy javët e pare, duke marrë dy fitore dhe e shohin veten në krye të klasifikimit.

Ndërsa Kukësi vjen pas një humbje me kampionët e Skënderbeut, që ka lënë një shije të hidhur. “Kemi pasur kohën e duhur për të përgatitur ndeshjen me Teutën. Humbja me Skënderbeun nuk është dramatike, pasi kemi zhvilluar një lojë të mirë. Gjatë kësaj jave kemi punuar shumë për të korrigjuar ato gabime që bëmë me Skënderbeun dhe shpresoj që ndaj Teutës të japim më të mirën tonë”, – deklaroi Mici.

Mbrojtësi i krahut të majtë është i sigurtë në suksesin e Kukësit, aq më tepër që kjo ndeshje luhet përballë publikut të tyre dhe fitorja është detyrim, ndonëse ka vlerësim maksimal për Teutën dhe punën që ka bërë tekniku Magani. “Në Kampionatin Shqiptar nuk ka shumë diferenca mes ekipeve. Teuta, siç e ka treguar edhe në këto dy ndeshje, është një ekip që vrapon shumë dhe luan mirë, kështu që nuk duhet nënvlerësuar aspak, por tri pikët janë objektivi ynë”, – tha 24-vjeçari Mici për “telesport.al”.

I pyetur se kë shikon favorit për sezonin e ri, Mici theksoi se Skënderbeu, Kukësi dhe Flamurtari janë ekipet që do të renditen në tre vendet e parë, ndonëse këta të fundit e kanë nisur në mënyrën më të keqe këtë start kampionati, ku kanë pësuar dy humbje, një pikërisht ndaj Teutës.

“Mendoj se tre ekipet që do të luftojnë për titull janë Skënderbeu, Kukësi dhe Flamurtari. Korçarët kanë grupin më të fortë, por nuk duhet nënvlerësuar as Flamurtari, pasi ka një grup lojtarësh cilësorë dhe ka investuar shumë në merkato. Edhe Kukësi sigurisht, ku këtë vit do të tentojmë të dalim kampion”, – përfdoi Gledi Mici. Kukësi-Teuta do të luhet të shtunën në orën 16:00 në “Zeqir Ymeri”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *