Sipërmarrësit që do të punësojnë persona të regjistruar në Zyrat e Punës, kudo në vend do të kenë përfitime me anë të subvencioneve. Kështu ka theksuar kreu i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko, në një intervistë për “TCh”.
“Tashmë janë vënë në dispozicion programe të nxitjes së punësimit duke u akorduar një fond i posaçëm, nga i cili sipërmarrjet mund të përfitojnë. Për këtë, subjektet duhet të punësojnë persona që janë regjistruar pranë Zyrave të Punës, që janë pjesë e Shërbimit Kombëtar të Punësimit”, ka shpjeguar ai.
Skemat e nxitjes së punësimit për personat me aftësi të kufizuara dhe shtresat në nevojë janë gjithashtu pjesë e programeve të SHKP-së, nga të cilat mund të përfitojnë punëdhënësit.
“Programi për integrimin e tregut të punës të personave më aftësi të kufizuara i subvencionon punëdhënësit, për një periudhë 1-vjeçare sigurimet shoqërore e atij personi të punësuar. Nga ana tjetër, po për këtë person të punësuar, i cili është me aftësi të kufizuara, punëdhënësit i subvencionohet e plotë për 6 muaj paga minimale (për personin në fjalë) në shkallë vendi dhe për 6 muajt e tjerë i subvencionohet në masën 50%. Gjithashtu, subvencione të tjera, që parashikohen lidhur me programin e nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara, janë 100 mijë lekë të reja, të cilat i akordohen punëdhënësin që të përshtasë ambientin për këta persona. Ndërkaq, kemi edhe programe të tjera me afat 1-vjeçar, që synojnë integrimin në tregun e punës e të rinjve të sapo diplomuar si edhe të shtresave në nevojë, që përfshijnë të papunët afatgjatë, persona në moshë mbi 45 vjeç dhe qytetarë të komunitetit rom apo egjiptian”, – ka nënvizuar Micko.
Ndërkaq, në lidhje me kërkesat e ndryshme që ka për punësim, drejtori i SHKP-së ka vënë në dukje zonat ku nevojat për fuqi punëtore janë më të mëdha.
“Ofertat janë të shpërndara në mbarë vendin, por rajonet me më shumë oferta janë Tirana, Durrësi, Fieri, Berati, Lezha etj. Kjo pasi janë rajone ku ka mjaft subjekte tregtare që zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe për këtë arsye edhe ofertat janë më të mëdha”, – ka theksuar ai.
Duke cituar analizat e kryera nga SHKP-ja, Micko foli në lidhje me profesionet më të këkuara në treg duke deklaruar se ofertat nga tregu i punës nuk janë vetëm në “Call Center” dhe fasoneri, por janë edhe në hoteleri-turizëm, në subjekte tregtare që operojnë në fushën e telekomunikacioneve, në ndërtim etj.
