Vizitorë të paktë në vendet arkeologjike (dikur ndër më të vizituarat) në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Lufta civile në Siri ka ndikuar jo pak në sigurinë dhe ekonominë e vendeve fqinje si Jordania e Libani, ku turizmi është ndër sektorët e parë që vuan pasojat. E njëjta gjë ndodh me Egjiptin e përfshirë nga kriza e qeverisjes dhe Libinë ‘post- Gheddafi’
Kanë kaluar 5 vjet që nga vizita e ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe të fejuarës së tij Carla Bruni në qytetin historik të Jordanisë, Petra, dhe vetëm 6 muaj qëkur presidenti Obama u end për dy orë në luginën e gurtë jordaneze Wadi Rum, në të cilën 8000 vjet para Krishtit ngriheshin vendbanime njerëzore. Nëse në raste të tilla vizitash zyrtare masat e sigurisë imponojnë evakuimin e zonës arkeologjike, këtë radhë, ndryshe nga 2007, turistët që duheshin larguar numëroheshin me gishta. Efekti i kaosit në Sirinë e afërt, nuk kufizohet vetëm në kampin e refugjatëve të Za’atarit, por po minon edhe themelet e mbretërisë së vogël duke filluar që nga turizmi, aq sa kujdestarët e kuajve në hyrje të Qytetit të Kuq i kanë ulur çmimet e garave nga 12 në 5 dinarë (5 euro).
Era e Pranverës Arabe nuk ka kursyer vendet arkeologjike që në Jordani, ashtu si në Egjipt, Libi, Siri e madje deri te Libani më pak i përfshirë, akuzojnë sot paqëndrueshmërinë politike rajonale që reflektohet në ekonominë kombëtare të secilit. Turizmi në Liban deri në 2010-n përfaqësonte 12.4% të PBB. Lufta civile midis Assad-it dhe armiqëve të tij është përhapur aq shumë, sa ka ndikuar në rënien e numrit të turistëve me 14% brenda një viti, ndërkohë që qeveria e Beirutit e zhvendosi Festivalin kombëtar të Baalbek-ut nga tempujt spektakolarë të Jupiterit dhe Bakut drejt kryeqytetit.
Nga ana tjetër e Mesdheut edhe Libia “post Gheddafi”, i ka përqendruar shpresat në qytetin feniksian të themeluar në shekullin VII para e. sonë, Leptis Magna, për të diferencuar zhvillimin hipotetik nga tregtia e naftës në tokën libiane. Vitet e fundit rrënojat e këtij qyteti romak, vendlindje e perandorit Septimus Severus, vizitoheshin nga një numër i papërfillshëm turistësh dhe fitimet ishin në të njëjtin nivel, pak a shumë 50 mijë euro në vit. Tani Koloneli nuk është më, por pasiguria politike e cila i mban të huajt larg dunave të rrahura nga erërat sahariane, mbetet. Vetëm ato depërtojnë në amfiteatrin e një prej vendeve më të mëdha arkeologjike në Mesdhe. Dorëheqja e zëvendëskryeministrit al Barassi, i cili të hënën denoncoi “përkeqësimin e sigurisë” në vend mbledhin hijet e errëta mbi të ardhmen e Libisë, njësoj si rrënojat nëntokësore të Leptis Magna.
Mrekullitë e qëndrueshme të së kaluarës dëshmojnë të heshtura brishtësinë e së tashmes. Qyteti antik Luxor në Egjiptin e trazuar, përfaqëson krizën e një vendi të shkretuar nga turistët. Deri në vitin 2010, mbi 9 milionë vizitorë (në vit) nga mbarë bota krijonin mundësi punësimi për 12 milionë egjiptianë, të cilët i siguronin vendit të ardhura prej 12 miliardë dollarësh. Sot, ndërsa revolucioni vazhdon me grusht të hekurt midis ushtrisë dhe islamistëve, hotelet e pozicionuara midis gërmadhave të Tebës antike dhe varrit të faraonit Tutankhamen, funksionojnë në vetëm 5% të potencialitetit të tyre dhe hoteli përrallor me 5 yje “Hilton Luxor” ofron tri netë për vetëm 518 dollarë. Ndërkohë lajmet që mbërrijnë nga qyteti i lashtë sirian Palmira tregojnë për bombardime mbi faltoren e Bel dhe kalanë e princit Fakhr-al-Din II. Kur të kthehen turistët atje, do të jetë tepër vonë gjithsesi./D.Gjuzi