Mesfushori shpreson të luajë me Shqipërinë, por mbetet peng i një ndeshjeje me U-21 zvicerane, për të cilën është bërë pishman
Ai është 26 vjeç dhe luan me Torinon në Serie A, prej kohësh pëlqehet edhe nga trajneri italian i Shqipërisë, Xhani De Biazi.
Por, pavarësisht dëshirës për t’u veshur kuqezi, një paraqitje e vetme me përfaqësuesen U-21 të Zvicrës e ka lënë “në ajër”. Në një intervistë ekskluzive për portalin Asport.info, Migjen Basha tregon dëshirën e madhe për të veshur fanellën e Shqipërisë. Ai tregon se si është penduar që luajti me Zvicrën U-21, ndërkohë që flet edhe për jetën te Torino.
– Ditët e fundit keni thënë se janë shtuar gjasat për t’u bërë pjesë e kombëtares shqiptare.
– Po, është e vërtetë, kam marrë lajmin nga trajneri De Biazi se do të bëhet dokumenti i Ministrisë së Brendshme, të cilin e prisnim dhe tani çështjen do ta paraqesim para FIFA-s.
– Sa janë shanset që t’ju shohim në fushë kundër Norvegjisë, më 22 mars?
– Nuk është lehtë ta di, sepse FIFA do ta marrë dokumentin dhe do ta shqyrtojë, ndaj nuk e di saktë se kur do të marr përgjigje.
– Jeni penduar që luajtët me Zvicrën U-21?
– Të them të drejtën, shumë. Ajo ka qenë vetëm një ndeshje dhe për faj të saj sot kam ngelur peng.
– Pavarësisht që secili e ka zgjedhjen personale, çfarë ju rekomandoni të rinjve shqiptarë që kanë dy oferta në duar, Shqipërinë edhe një tjetër?
– Nuk besoj se duhet shumë logjikë këtu, ai që ndihet shqiptar vetëm një zgjidhje ka dhe nuk është nevoja të thuhet. Por, në anën tjetër, edhe Federata Shqiptare e Futbollit duhet të tregohet më syçelë, pasi në shumë raste nuk ka treguar interes dhe ka humbur lojtarë shumë të mirë. Nëse kjo do të bëhet sa më shpejt, atëherë edhe cilësia në radhët e kombëtares do të rritet pashmangshëm.
– Me aq sa i keni parë ndeshjet e kombëtares, ku mendoni se është pika e dobët dhe më e fortë e saj?
– Kam shikuar disa ndeshje të Shqipërisë, sidomos kundër Islandës ku nuk meritonte të humbte në bazë të asaj çfarë shfaqi në fushë. Për sa u përket pikave të dobëta, nuk mund të bëj kritika nga pozicioni im.
– Bazuar në aftësitë tuaja si futbollist, çfarë mendoni se do t’i ofroni Shqipërisë?
– Kjo është një pyetje që më vjen zor t’i përgjigjem, nuk dua që të flas shumë për veten, pasi dua të flas me lojën time. Ndaj zgjedh që mos të përgjigjem për këtë pyetje.
– Cilat janë objektivat për këtë sezon me Torinon?
– Synimet janë të vazhdojmë të mbetemi në Serinë A, personalisht jam i kënaqur me minutazhin, edhe pse muajin e fundit kam pasur probleme fizike dhe nuk jam në 100 për qind.
– A keni pasur ndonjë ofertë në janar apo mendoni të lëvizni në verë drejt ndonjë ekipi tjetër?
– Jo, nuk kam pasur. Unë kam thënë edhe më herët se do të qëndroj në Torino madje edhe më shumë se sa këta 6 muaj. Kryesia e klubit më ka thënë se planifikojnë të më mbajnë më gjatë në ekip.