Migjen Basha, rrëfimi i një “Demi”

anazapta

Migjen Basha rrëfehet. Mesfushori kuqezi i Torinos tregon episode nga sezoni i kaluar, shkakun pse humbi vendin në formacion, dhe shpresat e mëdha për të ardhmen. Nuk është i vetmi, pasi shumë shpresojnë se ai do të jetë një lider i ri te Torino, pasi janë larguar Bianki dhe Ogbona. Trajneri Ventura beson tek ai, ashtu si dhe De Biazi në skuadrën kombëtare, me të cilën shpreson të shkojë në botërorin brazilian. E nëse ia arrin, është i bindur se atij dhe kuqezinjve të tjerë do t’u ngrenë statujë në Shqipëri.

– Migjen Basha, tani e ke radhën ti për të marrë për dore Torinon. Jeni në skuadër që nga 2011 dhe Ventura beson te ju për mesfushën.

– Unë jam gati për të marrë përgjegjësi. Edhe për shkak se është hera e parë që i përkas 100 për qind një skuadra. Nuk më ka ndodhur kurrë që kur kam ardhur në Itali. I huazuar dhe në bashkëpronësi që më 2005, por tani jeta ime ka ndryshuar.

– Si?

– Nuk ndihesha i qetë kur isha në mëdyshje. Mendoja se mund të më largonin në çdo moment, ndërsa tani shpresoj të qëndroj gjatë, sepse jam krenar që jam i Torinos dhe më jep kënaqësi që klubi beson tek unë. Kontrata më skadon pas dy vjetësh, por mund të rinovojmë që në shtator.

– Sezonin e kaluar luajtët pak, pse?

– Faji im. E nisa mirë, pastaj pata një problem në kavilje, por nuk shkova te mjeku dhe te trajneri. Nuk stërvitesha në 100 për qind, por përpiqesha të ruaja vendin. Kjo është arsyeja që mbeta jashtë skuadre, m’u desh pak kohë të riaftësohesha, por pastaj trajneri besoi sërish tek unë. Tani shpresoj të jem rritur krahasuar me një vit më parë. Atëherë ekzistonte një farë ankthi, sepse nuk kishja luajtur kurrë në Serinë A.

– Këtë vit jeni thirrur në kombëtaren shqiptare. Sa flet për Torinon trajneri De Biazi?

– Shpesh dhe më thotë se “për të qëndruar te Toro duhet të jesh një Toro (dem), ndaj qëndro aty”. Ai është ndjerë mirë te Torino, por i vjen keq për mënyrën si përfunduan gjërat. Kështu e ka jeta, tani shpresojmë të luajmë në play-off për botërorin, falë De Biazit që po bën një punë të madhe. Kërkon lojtarë dhe i provon të gjithë. Kush e meriton, thirret në skuadër.

– E sikur të shkoni në Brazil vitin tjetër?

– Do të na bëjnë statujë në Shqipëri. E vështirë, por mund të shkojmë në play-off. Sikur të kualifikohemi, e kapërcej me qejf edhe muajin e mjaltit.

– Kur martoheni?

– Pas pak ditësh, sapo të kthehemi nga grumbullimi. Do të kthehem në Kosovë për tri ditë dhe dasmë e kemi më 31 korrik.

– Çfarë Torinoje po lind?

– Vitin e kaluar kishim dy pika lider, ndërsa tani pikat e referimit duhet t’i gjejmë vetë dhe të marrim përgjegjësi të gjithë. Tani nuk kemi më Biankin dhe Ogbona, ndaj duhet të çajmë vetë për ta çuar Torinon drejt rezultateve të mëdha.

– Objektivi personal, një gol kundër Juves?

– Jo gol, por dua rezultat pozitiv në derbi. Po më mësojmë të mos përsërisim gabimet e bëra nga mungesa e përvojë, të evitojmë rrëshqitjet dhe të marrim rezultate kundër skuadrave të mëdha. Objektivi është vetëm një, të marrim më tepër pikë se kampionatin e kaluar.

– Do ta ndërrosh fanellën me Ogbona në derbi? 

– Unë nuk i ndërroj fanellat, nuk e kam për zakon. Në vitin tim të parë në Serinë A kam kërkuar vetëm një fanellë, atë të Zanetit.

– Si mbetët nga kalimi i shokut tuaj te Juventusi?

– E mora në telefon Anxhelon ditën e grumbullimit dhe m’u përgjigj “druaj se nuk do të vij”. Aty e kuptova, është një hap para për karrierën e tij. Shumë tifozë nuk e kuptojnë dhe nuk duan ta kuptojnë, megjithatë kjo është zgjedhja e tij.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *