Letër e nënshkruar
Pali Nito
Kohët e fundit problemi i emigracionit të shqiptarëve drejt Europës e sidomos drejt Gjermanisë po diskutohet e lakohet pa pushim, madje po zhurmohet dhe politizohet tejskajshmërisht e sidomos nga opozita për të fituar kapital politik tani në prag të zgjedhjeve administrative.
Duke i parë e analizuar problemet me gjakftohtësi, qetë, pa fatalitet, pa emocione e ngarkesa politike, gjykoj se pavarësisht faktit të pamohueshëm të papunësisë e të varfërisë që i detyron shqiptarët të largohen, gjithsesi nuk duhet të zhurmohet e të ekzagjerohet kaq shumë çështja.
Së pari, shqiptarët historikisht kanë emigruar madje qysh nga shekulli XV-të mbas vdekjes së Skënderbeut e në vazhdimësi madje edhe në sistemin diktatorial e në një censurë të egër përsëri familje të tëra largoheshin duke rrezikuar seriozisht edhe jetën pa folur këtu për eksodin masiv në ndryshimin e sistemit shoqëror. Së dyti, kujtoj se aktualisht nuk emigrojnë vetëm shqiptarët por edhe serbët, grekët, maqedonasit, malazezët por edhe italianët e Italisë së Jugut.
Unë si qytetar apeloj që të mos i fryhet aq shumë këtij zjarri dhe opozita të mos priret nga nihilizmi dhe kriticizmi i sëmurë e dashakeq duke injoruar, nxirë e baltosur e minimizuar çdo arritje, pasi kështu nuk e frenojmë, por e inkurajojmë emigracionin.
