Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes, seanca e 7-të. Dëshmia e Miha Lakos kundër Pandi Kristos e Koçi Xoxes lidhur me skenarin e jugosllavëve në prapaskenat e Beratit për eliminimin e Enver Hoxhës Mehmet Shehut, Nako Spiros e mbështetësve të tyre.
“Të deleguarin e Titos në Shqipëri Miladin Popoviçin, siç më tha i pandehuri Miha Lako, e kanë thirrur me urgjencë në Beograd për gabimet e rënda që ka bërë dhe se ai do të gjykohej dhe mund të dënohej me vdekje”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e 7 të gjyqit kundër Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve të akuzuar për veprimtari armiqësore, deponimeve të të pandehurit Pandi Kristo, u kundërvihet dëshmitari Miha Lako, një nga komunistët e parë dhe funksionar i lartë i pasluftës. “Pandi Kristo më tha se Enveri është fshehur nga frika se do e vrasin! Të deleguarin e Titos në Shqipëri Miladin Popoviçin, siç më tha i pandehuri Miha Lako, e kanë thirrur me urgjencë në Beograd për gabimet e rënda që ka bërë dhe se ai do të gjykohej dhe mund të dënohej me vdekje”, pohon mes të tjerave në dëshminë e tij në këtë seancë Miha Lako….
Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë seancën. I pandehur Pandi Kristo, në ç’rast tjetër ka biseduar Koçi Xoxe jashtë udhëheqjes me ty?
Pandi Kristo: -Në Berat, Koçi Xoxe më ka biseduar jashtë udhëheqjes. Në Berat, Koçi Xoxe më vuri në korrent me situatën dhe më tha se janë bërë shumë gabime.
Prokurori: -Ç’të ka thënë Koçi Xoxe në Berat në lidhje me vijën e Partisë?
Pandi Kristo: -Më tha se në vijën e Partisë ka pasur sektarizëm dhe oportunizëm. Sektarizmin e lidhte me çështjet organizative, kurse sektarizmin në lidhje me çështjen e qëndrimit ndaj Ballit Kombëtar. Dhe më tha se Enver Hoxha bën siç i thotë Miladin Popoviçi. Koçi më tha gjithashtu edhe për Liri Gegën që i kishte zënë vendin si Sekretare Organizative. Më tha se dy delegatët jugosllavë i kishin parë këto gabime.
Prokurori: -Çfarë përshtypje pate për Sekretarin e Përgjithshëm kur të foli Koçi kështu?
Pandi Kristo: -Nga të gjitha këto pata përshtypjen se ishin bërë gabime nga Sekretari i Përgjithshëm (Enver Hoxha) dhe pastaj gabime edhe nga Liria e Baca. Tha se këto gabime ishin të rënda dhe duhet të shtroheshin në Komitetin Central.
Prokurori: -Zhvillove ti ndonjë veprimtari grupazhi me Velimir Stojniçin?
Pandi Kristo: -Me Velon mua më ka prezantuar Nako Spiro. Dhe një herë tjetër kam shkuar atje me Nestin. Por në formë grupazhi nuk kam pasur ndonjë bisedim…
Prokurori: -Po ç’mendim kishe ti mbi Sekretarin e Përgjithshëm(Enver Hoxhën) pas Beratit?
Pandi Kristo: -Pas Beratit unë kisha idenë se Sekretari i Përgjithshëm (Enver Hoxha) ka gabuar dhe për mua, ai nuk qe më ai i mëparshmi. Në Berat u bë cilësimi se kishte vepruar si klikë Sekretari i Përgjithshëm(Enver Hoxha).
Prokurori: -A i ke bërë ti ndonjë cilësim Komandantit(Enver Hoxhës) në Berat dhe a e ke krahasuar me ndonjë burrë tjetër shteti të vendit tonë?
Pandi Kristo: -Nuk mbaj mend ta kem cilësuar me ndonjë mënyrë tjetër Komandantin(Enver Hoxhën).
Prokurori: -Këtu kemi, shokë gjyqtarë, një deklaratë të lëshuar nga shoku Miha Lako, në lidhje me një bisedim që ka pasur ky me të pandehurin Pandi Kristo në Berat. (Prokurori lexoi këtë deklaratë). Por është mirë, shokë gjyqtarë ta dëgjojmë dëshmitarin pasi ndodhet këtu dhe të deponoj rreth kësaj deklarate.
Miha Lako(Dëshmitar. Vjeç 45, nga Korça, nëpunës): -Kur isha në Berat, pasi nuk pashë atje shokun Miladin Popoviç, për të cilin kisha një simpati të veçantë se kishte punuar shumë në vendin tonë, sidomos për kontributin që kishte dhënë për shkrirjen e grupeve, m’u duk si çudi kjo punë. Dhe i thashë të pandehurit Pandi Kristo se ku ishte shoku Miladin. I pandehuri Pandi mu përgjigj: Miladini shkoi në Jugosllavi se ai me Enverin kanë bërë shumë gabime. Miladini mund të gjykohet dhe të dënohet me vdekje, kurse Enveri është bërë si Zogu i Dytë dhe qëndron i mbyllur brenda mureve se ka frikë mos e vrasin.
Mua kjo gjë më bëri përshtypje të madhe dhe nuk di që t’ia kem thënë njeriu këtë fjalë të të pandehurit Pandi dhe druaja pasi unë isha i persekutuar dhe ndiqesha nga këta. Më duket ja kam zënë në gojë Makut, por nuk më kujtohet me siguri.
Pandi Kristo: -Nuk më bie ndër mend t’i kem thënë kështu dëshmitarit.
Prokurori: -Po ç’mendim ke pasur ti për Sekretarin e Përgjithshëm?
Pandi Kristo: -Ka qenë një psikozë në Berat për shokun Enver se kishte gabuar. Ka qenë krijuar gjithashtu psikoza se a do i pranonte Enveri këto gabime. Dëshmitarit, nuk mbaj mend që t’i kem thënë ashtu siç deklaroi këtu para gjyqit. Sidomos për çështjen që Enveri rrinte i mbyllur, sepse, ne sapo kishim ardhur në Berat.
Prokurori: -A ka qenë një vendosmëri nga ana juaj që Enveri të pranonte medoemos ato gabime?
Pandi Kristo: -Nga ana ime nuk ka qenë një vendosmëri e tillë. Por nga ana e Koçit dhe e Nakos ishte kjo vendosmëri. Kur pyeta Nakon se nëse nuk do i pranonte Sekretari i Përgjithshëm(Enver Hoxha) këto, ai m’u përgjigj se po nuk pranoi, lot koburja. Kur më tha kështu Nako, Koçi nuk qe aty, por të dy këta shokë, të një mendimi ishin.
Prokurori: -A keni pasur ju një grup konspirativ në Berat?
Pandi Kristo: -Ndonjë grup konspirativ nuk di të ketë pasur në Berat. Por këtë fjalë e tha Nako Spiro kështu dhe nuk ishte gjë. Tani, nga zhvillimi i gjyqit del që mund të ketë qenë një grup i tillë.
(U kënduan deponimet e të pandehurit Pandi Kristo në procesin hetimor, faqe 3, ku ndër të tjera ka thënë: “Veprimi i Koçit, i Nakos, i imi në Berat, ishte një prapaskenë”).
Prokurori: -Cilët kanë qenë shkaktarët kryesorë për prapaskenën e Beratit?
Pandi Kristo: -Shkaktarët kryesorë të Beratit kanë qenë Koçi Xoxe dhe Nako Spiro, pastaj unë që isha me këta. Por unë nuk luajta ndonjë rol të madh se dhe pa mua, mund të bëhej Berati.
Prokurori:- -Çfarë ke biseduar ti me të pandehurin Koçi Xoxe kur Sekretari i Përgjithshëm shtroi tezat për revizionimin e Beratit?
Pandi Kristo: -Me Koçin kemi biseduar dhe i kam thënë se tezat e revizionimit unë nuk i pranoj. Dhe Koçi thoshte se kjo bëhet me qëllim për të më goditur mua, domethënë Koçin, si Sekretar Organizativ. Koçi thoshte se këto i bën Nako Spiro.
Prokurori: -Përse të thoshte Koçi ty se këto punë i bën Nako Spiro?
Pandi Kristo: -Në këtë kohë kishin filluar mosmarrëveshjet ndërmjet Koçit dhe Nakos dhe Koçi e shihte Nakon se po i afrohej Komandantit (Enver Hoxhës).
(U lexuan deponimet e të pandehurit Pandi Kristo në procesin hetimor, faqja 4, ku ndër të tjera ka thënë: “Koçi kishte frikë forcimin e pozitave të Komandantit, sepse po të afroheshin këto pozita, mund të bënte ashtu siç donte ai. Unë tani e shoh se Koçi donte të ishte i lirë të punonte si të donte vetë”)
Prokurori: -Ç’pozita kishe ti në Berat dhe çfarë pozitash kishe pas Beratit?
Pandi Kristo: -Në Berat unë u bëra anëtar i Byrosë pasi kisha qenë anëtar i Komitetit Central. Pas Beratit, u bëra Sekretar Politik i Tiranës.
Prokurori: -Cili ishte fryti i punës tënde si Sekretar Politik i Tiranës?
Pandi Kristo: -Këtë e di Partia. Por heqja që këtej tregon se puna ime nuk ka qenë e mirë. Pastaj vajta provizorisht në aparatin e Komitetit Central. Më vonë vajta si Kryetar i komisionit të kontrollit, të cilin e kishte pasur Koçi, por pasi ky kishte tre pozita, nuk e bënte dot edhe atë.
Prokurori: -A ishte i rëndësishëm ky sektor pune?
Pandi Kristo: -Shumë i rëndësishëm.
Prokurori: -Kur është bërë zgjerimi i Byrosë, atëherë të tha Koçi se do të na vijë ndonjë grusht nga jashtë?
Pandi Kristo: -Zgjerimi i Byrosë u bë pasi Komandanti u kthye nga Parisi. Në lidhje me grindjet që zhvilloheshin unë i kam thënë Koçit se si do të vejë kjo punë dhe ai më ka thënë se kjo nuk mund të shkojë kështu dhe ne ose do të merremi vesh, ose do të na vijë ndonjë dackë nga jashtë.
Prokurori: -Po ti ç’kuptove nga kjo gjë, do të na vijë ndonjë grusht nga jashtë?
Pandi Kristo: -Unë nuk e realizova dot në atë kohë, por kujtoja se i referohej ndonjë ndërhyrje nga miqtë tanë sovjetikë ose jugosllavë.
Prokurori: -Kjo ndërhyrje, a ishte akuzë e jugosllavëve dhe a u shfrytëzua kjo akuzë nga Koçi Xoxe?
Pandi Kristo: -Po, ardhja e akuzës qe ndërhyrja nga jashtë, se me këtë rast, u shtrua dhe çështja e brendshme. Dhe ky rast u shfrytëzua nga i pandehuri Koçi Xoxe.
Prokurori: -Kur i shihje ti këto grindje, pse nuk i shtrove në Byro?
Pandi Kristo: -Kur erdhi Sekretari i Përgjithshëm (Enver Hoxha) nga Partia, më ka thënë se sikur jemi të ndarë, nga njëra anë ai me Nakon, dhe nga ana tjetër unë me Koçin. Për këtë kam përgjegjësi se nuk e kam thënë, por ka qenë mungesë kuraje.
Prokurori: -Kishte gjëra të fshehta që i bisedoje ti me Koçin? A e kishte parashikuar drejt Sekretari i Përgjithshëm që ju ishit një grup?
Pandi Kristo: -Unë nuk e dija se ata ishin gjëra të fshehta. Por kur unë bisedoja me Koçin, bisedoja me cilësinë e tij si Sekretar Organizativ.
Prokurori: -Po derisa këto gjëra nuk i dinte Sekretari i Përgjithshëm dhe Byroja, a nuk ishin ato të fshehta?
Pandi Kristo: -Po. Me qenë se nuk i dinin Sekretari i Përgjithshëm (Enver Hoxha) dhe Byroja, ato të fshehta ishin.
Prokurori: -A e di Sekretari i përgjithshëm (Enver Hoxha) se Koçi Xoxe priste ndonjë grusht nga jashtë?
Pandi Kristo: -Grushtin nga jashtë nuk e dinte Sekretari i Përgjithshëm. As unë nuk ja thashë, se as unë nuk e mendoja në atë mënyrë.
Prokurori: -Për punën që u bë në Berat a ishte gishti i jugosllavëve?
Pandi Kristo: -Po të mos qenë jugosllavët, nuk do qe bërë Berati.
NESËR DO TË LEXONI:
-Deponimet e Pandi Kristos: Si përgatitëm me Koçi Xoxen skenarin e goditjes së Nako Spiros, Mehmet Shehut, Enver Hoxhës, Liri Belishovën e Fadil Paçramin, që ishin kundërshtarë të planeve të jugosllavëve mbi vendin tonë.
-Dëshminë e të pandehurit Kristo, pse dhe si me urdhër të Xoxes vuri nën survejim Haki Toskën.`
-Dëshminë e Xhorxhi Blushit lidhur mbi misionin e tij për survejimin e Nako Spiros dhe ngjarja në mesnatë në banesën e Nakos me një njeri misterioz.

Largpames Xoxja. E parashikoi grushtin nga jashte, por ndoshta nuk e parashikoi qe do vinte nga Stalini dhe qe Enveri do te godiste me te koken e Xoxes..