Mihajlovic: Interi, “ashensori” drejt kreut

redaktor

Pas suksesit në Kupën e Italisë ndaj Alessandrias, Milanin e pret një përballje mjaft delikate në Serinë A, pikërisht derbi me Interin. Një mundësi e mirë për “Djallin” për t’u hakmarrë për humbjen në fazën e parë, por mbi të gjitha për të besuar te vendet e para në renditje.

Sinisha Mihajlovic, është i drejtpërdrejtë në konferencën për shtyp një ditë para përballjes më të rëndësishme të javës së 22-të të Serisë A.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për klasifikimin, një nga mundësitë e tona të fundit për të synuar vendet e para. Është si një ashensor: kush fiton ngjitet lart, ai që humbet shkon në katin përdhes. Ne do të luajmë vetëm për fitore dhe nëse nuk e arrijmë të paktën të mos humbasin.”

Rezultatet e javëve të fundit të kuqezinjve, japin shpresë, ndaj trajneri serb ka shumë besim te futbollistët e tij.

“Falë besimit, punës dhe impenjimit kemi gjetur identitetin. Problemi ynë mbetet mbyllja e ndeshjeve. Jemi një skuadër shumë e vështirë për t’u mundur.”

Mihajlovic e pranon se Eder është një goditje e rëndësishme e rivalëve ndërqytetas, pasi e njeh mirë sulmuesin të cilin e ka stërvitur te Sampdoria.

Eder është një lojtar i rëndësishëm. Inter ka bërë një blerje shumë të mirë. Shpresoja që të shkonte të hënën dhe të mos ishte i gatshëm ndaj nesh. Ai mund të luajë në disa pozicione në sulm.”

I pyetur për objektivin përfundimtar të sezonit, trajneri kuqezi mban një profil të ulët.

“Championsi? Le t’i marrim ndeshjet një e nga një. Kampionati është ende i gjatë dhe nuk shohim klasifikimin. Thuajse të gjitha ndeshjet direkte, përves Napolit i kemi në shtëpi. Suksesi i mundshëm me Interin do të na rriste moralin dhe do të shtonte entuziazmin në radhët tona.”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *