Mijëra euro kontrabandë, pranga 2 doganierëve

redaktor

Dyshimet se ishin të përfshirë në kontrabandën e mallrave me vlerë mijëra euro kanë çuar autoritetet e Policisë së Shtetit në hetimin e punonjësve të Doganës në Pikën Kufitare të Kakavijës. Mëngjesin e djeshëm, u prangosën nga agjentët e Zyrës Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Sarandë për akuzën “shpërdorim detyre” dhe “kontrabandë mallrash”, dy doganierë dhe një tregtar të dyshuar.

Operacioni është koduar “Vjeshtë 2014” dhe në pranga ranë Redi Karalli dhe Ndriçim Stojku, të dy doganierë në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, si dhe tregtari Dritan Ismalaj.

Ky i fundit u arrestua në “Qafën e Muzinës”, ndërsa transportonte një sasi mallrash industrialë dhe ushqimorë, me vlerë disa mijë euro, për të cilat nuk kishte paguar detyrimet doganore. Policia tha se gjatë kontrollit në postbllok, tregtari nuk bëri rezistencë, por sipas verifikimit të kryer, mungonte dokumentacioni shoqërues për mallin në kamion. Mësohet se pjesa më e madhe e mallrave ishin ushqimorë, një sasi kafeje dhe ato industrialë, kryesisht elektro-shtëpiake. Pas marrjes në pyetje u zbulua se tregtari kishte hyrë nga Pika e Kakavijës dhe menjëherë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, u koordinua për të hetuar doganierët që kishin shpërdoruar detyrën.

Policia e Sarandës njoftoi se në bashkëpunim me kolegët e Gjirokastrës, bënë të mundur arrestimin e doganierëve Redi Karalli, 32 vjeç, banues ne Gjirokastër dhe Ndriçim Stojku, vjec 32, banues në Tiranë. Ndërsa është arrestuar dhe tregtari nga Gjirokastra, Dritan Islamaj, 42 vjeç, i cili transportonte mallrat në qytetin bregdetar, ku edhe i shpërndante në njësi të ndryshme. Mësohet se mallrat bliheshin në Greqi me një çmim të favorshëm, teksa i shpëtohej detyrimit në doganë. Krimi Ekonomik po verifikon se sa herë të tjera ka hyrë në këtë pikë më parë tregtari i arrestuar, për të zbuluar nëse edhe në ato raste është favorizuar nga doganierët. Si provë materiale janë sekuestruar automjeti tip “Mercedes-Benz”, me targa AA754AZ, një sasi mallrash, me vlerë disa mijëra euro, për të cilat nuk ishin paguar detyrimet doganore. “Mallrat ushqimore si dhe një sasi kafeje do të tregtoheshin në qytetin e Sarandës. Policia është duke kryer ende hetime”, thanë burime zyrtare.

Pas marrjes në pyetje, 2 punonjësit e ndaluar nuk i pranuan akuzat, por policia tha se tashmë ka si prova edhe pamjet filmike të hyrjes së mjetit në pikën kufitare dhe kalimit pa iu nënshtruar kontrollit doganor për shlyerje detyrimesh. Të dyshuarit e kanë lejuar kamionin pa bërë procedurat e zhdoganimit dhe verifikimit të mallit. Vetëm tre ditë më parë, SHKB arrestoi tre ish-oficerë të Pikave Kufitare Morinë dhe Shishtavec, njëri prej të cilëve komandant i pikës, për shpërdorim detyre dhe falsifikim të vërtetimeve për zhdoganimin e mjeteve të ndryshme.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *