Mijëra persona derdhen në sheshin e Ankarasë kundër sulmit terrorist

Saimir Lleshi

Mijëra persona u mblodhën sot në Ankara për të kujtuar 95 viktimat e sulmit kamikaz të së shtunës në kryeqytetin turk.

Marshimi u shoqërua me masa të rrepta sigurie. Demonstruesit u mblodhën në afërsi të vendit ku ndodhi shpërthimi i ditës së djeshme.

Protesta u thirr nga sindikata, grupe të majta, si dhe organizata pro kurde të Partisë Demokratike Popullore. Grupet në fjalë protestuan edhe gjatë ditës së djeshme ku ndodhi shpërthimi.

Dy zyrtarë të lartë turq i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters”se shenjat fillestare tregojnë se sulmi është mbështetur nga Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIS).

Megjithatë, disa demonstrues fajësuan Presidentin Rexhep Tajip Erdogan për sulmin, duke thirrur “Vrasësi Erdogan”, “Qeveria të japë dorëheqjen” dhe “Shteti do të japë llogari”.

Nga ana tjetër, qeveria ka hedhur poshtë pretendimet se mund të jetë e implikuar në shpërthime.

Presidenti Erdogan denoncoi atë që ai e quajti një “sulm të urryer” me synim për të prishur “unitetin tonë dhe paqen e vendit tonë.”

Duke deklaruar tri ditë zie, kryeministri turk Ahmet Davutoglu tha se kishte “shenja të forta” se sulmi ishte kryer nga dy kamikazë.

Davutoglu tha se askush nuk e kishte marrë përgjegjësinë për shpërthimet, por se grupet, duke përfshirë Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIS), Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe partia e ekstremit të majtë Fronti Revolucionar Popullor (DHKP- C) ishin të aftë për të kryer një sulm të tillë. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *