Mikrondërmarrjet, program i ndihmës nga shteti

Dita

Biznesi i vogël dhe i mesëm është në vendin tonë më shumë se 92 për qind e biznesit. Ne jemi vend ku ekonomia bazohet mbi këtë lloj biznesi, ndaj siç duket është menduar që të nxitet më tej krijimi i mikrondërmarrjeve. Komisioni i Ndihmës Shtetërore shqyrtoi raportin për planin e dhënies së ndihmës shtetërore “Për krijimin e skemës “Voucher”, që ka për qëllim të zhvillojë më tej këto ndërmarrje

Objekti i skemës

Skema synon të nxisë veprimtarinë e mikrondërmarrjeve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që operojnë në fushën e prodhimit, përfshirë agro-përpunimin, si dhe prodhimin e programeve kompjuterike (Software TIK), për t’i  mundësuar atyre transferimin e drejtpërdrejtë të njohurive nga ofruesit e shërbimeve, për inovacione, teknikat e marketingut, duke ofruar përvoja dhe praktikat më të mira që nuk janë aplikuar më parë tek SME-të aplikuese dhe që do të ndikojnë në rritjen e konkurrencës dhe veprimtarisë ekonomike të tyre.

Kush përfiton ndihmë nga projekti?

Ndihma do të jepet në formën e drejtpërdrejtë për mikrondërmarrjet, ndërmarrjet e vogla apo të mesme, nëpërmjet bashkëfinancimit. Në varësi të vlerësimit për projektin e dorëzuar nga aplikanti/tët, skema mbulon 85% të kostove të pranueshme nga buxheti i shtetit dhe jo me shumë se 350.000 (treqind e pesëdhjetë mijë) lekë. Skema e njoftuar është parashikuar të zbatohet me fondet e buxhetit të shtetit, sipas parashikimeve të PBA për periudhën 2015-2017. Për vitin 2015, vlera e fondit të jetë 1 000 000 (një milion) lekë. Për vitin 2016, vlera e fondit të jetë 4 000 000 (katër milionë) lekë. Për vitin 2017, vlera e fondit të jetë 4 000 000 (katër milionë) lekë. Sipas vendimit autoriteti përgjegjës për zbatimin dhe monitorimin e kësaj mase do të jetë Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Skema sipas pretendimeve të komisionit ka një efekt nxitës dhe është përzgjedhëse, sepse ndihma jepet për një numër të kufizuar ndërmarrjesh. Kriteret e përzgjedhjes parashikohet të përcaktohen në rregulloren e funksionimit të skemës “voucher”, e cila do të miratohet me një urdhër të përbashkët nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe ministri i Financave. Skemat “voucher” shërbejnë për të mbështetur SME-të, për të zhvilluar kapacitetet e tyre inovative, nëpërmjet sigurimit të një asistence teknike nga jashtë kompanisë. Përdorimi i skemës “voucher” është i nevojshëm për ndërmarrjet, duke qenë se kanë burime të kufizuara të kapaciteteve njerëzore dhe mjete financiare që nuk i mundësojnë të zhvillojnë know-how.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *