Për Milan duket se nuk mjaftojnë 10 blerje në këtë merkato vere, teksa kuqezinjtë janë hedhur në gjueti të “qershisë mbi tortë”. Veç mesfushorit Renato Sanches të Bayern Munich, për të cilin vijojnë tratativat, Marco Fassone po punon edhe për majën e sulmit.
Jo vetëm Nikola Kalinic i Fiorentinës, pasi në këto ditë janë përmendur edhe emrat e Diego Costa dhe Radamel Falcao. Këta të fundit bëjnë pjesë në skuderinë e menaxherit Jorge Mendes, njërit prej më të mëdhenjve të merkatos botërore, me të cilin administratori i deleguar kuqezi ka një marrëdhënie të shkëlqyer.
Në të vërtetë, shenja e vërtetë e pronarëve kinezë të Milan është të afrojnë në klub atë që bashkë me Lionel Messi të Barcelonës, është futbollisti më i mirë në botë, Cristiano Ronaldo i Real Madrid. Sipas “Sky Sport”, drejtuesit e klubit kuqezi kanë pyetur menaxherin portugez, Jorge Mendes gjatë takimit të tyre të zhvilluar në Sardegnja:
“Po Cristiano Ronaldo çfarë bën?”. Një pyetje dhe interesim që ka qenë mëse i mjaftueshëm që mediat italiane të konsiderojnë çeljen e tratativave për blerjen yllit portugez nga klubi kuqezi. Kohët e fundit Ronaldo ishte në qendër të aludimeve për një largim të mundshëm nga Real Madrid, për shkak të problemeve me sistemin fiskal.
