Derbi i Milanos do të mbyllë javën e 27-të të kampionatit italian.
Milan do të jetë skuadra pritëse në “San Siro” mbrëmjen e sotme dhe kuqezinjtë po kalojnë një moment shumë të mirë forme.
E vetmja skuadër që ka arritur të shënojë kundër tyre brenda 90 minutave në ndeshjet e javëve të fundit ka qenë Udinese, ndeshje e luajtur në janar.
Në mesjavë, skuadra e Gennaro Gattuso ka siguruar kualifikimin në finalen e Kupës së Italisë pasi ka eliminuar Lazio-n. Një sukses ky që duhet të ketë karikuar kuqezinjtë për derbin kundër Inter.
Zikaltrit, ndryshe nga kushërinjtë e tyre, nuk po kalojnë një moment të mirë forme dhe, pavarësisht avantazhit prej shtatë pikësh ndaj Milan, trajneri Luciano Spalletti duhet të jetë i shqetësuar nga ecuria pozitive e Milan.
Inter do të paraqitet në derbi pas fitores së marrë në javën paraardhëse të kampionatit, por një sukses 2-0 ndaj Benevento-s duhet të jetë diçka normale dhe jo një surprizë për një skuadër që kryesonte Serinë A deri në muajin dhjetor. Rënia e papritur e rendimentit i ka nxjerrë zikaltrit nga gara për titullin dhe tani ata rrezikojnë edhe pozicionimin mes katër vendeve të para në renditje.
Aktualisht, ata janë në garë me Lazio dhe Roma për të siguruar një vend në edicionin e ardhshëm të Champions League, por Milan mund t’i bashkohet këtij grup me një fitore në derbi, duke parë se kuqezinjtë do të shkonin vetëm katër pikë larg kushërinjve.
Për më tepër, skuadra e Gattuso nuk ka pësuar asnjë humbje në 13 ndeshjet e fundit që ka luajtur në të gjitha kompeticionet.
Gjithashtu, ata janë të pamposhtur në gjashtë takimet e fundit të luajtur në shtëpi dhe do të kërkojnë të vazhdojnë në këtë rrugë edhe të dielën në mbrëmje, për t’u paraqitur me një moral të lartë në ndeshjen e së enjtes kundër Arsenal, e vlefshme për 1/8-at e Europa League.
Shifra dhe fakte
– Përballja e fundit mes këtyre dy skuadrave është zhvilluar në Kupën e Italisë dhjetorin e kaluar dhe është fituar nga Milan me rezultatin 1-0 falë një goli të Cutrone-s në kohën shtesë.
– Ndeshja e fazës së parë është fituar 3-2 nga Inter falë një penalltie të Mauro Icardi-t në minutat e fundit.
– Të dy skuadrat kanë marrë nga 1 fitore dhe dy barazime në katër përballjet e fundit të kampionatit që kanë luajtur mes tyre.
– Hera e fundit që ekipi mik ka fituar derbin ka qenë në 2012-ën, një ecuri prej 10 ndeshjesh që ka parë skuadrën pritëse të marrë 6 fitore dhe 4 barazime.
a.s/dita
