Shtatë ditë më parë ai i ka dhuruar kuqezinjve 3 pikë, në takimin e fituar 1-0 në fushën e Genoa-s. Sot, Andre Silva në minutën e 82-të, i ka dhuruar fitoren 3-2 milanezëve. Kjo fitore mund të rezultojë vendimtare në luftën për vendin e katërt.
Gjithçka nisi mirë për ekipin e Gattuso-s, duke gjetur golin e avantazhit me Calhanoglu, i cili përfitoi nga një rrëmujë në zonën e rreptësisë dhe goditi topin drejt rrjetës me lehtësi.
Chievo ka arritur të përmbysë gjithçka në harkun e një minute. Në minutën e 33-të ka barazuar me Stepinskin dhe ka kaluar në avantazh me Inglese-n në të 34-ën. Këto dy goditje qenë të papritura si për skuadrën kundërshtare ashtu dhe për publikun vendas.
Gjithsesi, reagimi i kuqezinjve ka ardhur në minutën e 54-t me Cutrone që ka barazuar rezultatin, pasi portieri Sorrentino ka devijuar në këmbët e sulmuesit kuqezi goditjen e fuqishme të Biglia-s.
Lojtarët e Chievo-s kanë protestuar për një pozicion jashtë loje, por VAR e ka konfirmuar golin.
Gennaro Gattuso është shpërblyer edhe nga goli i Andre Silva në minutën e 82-të të takimit.
Në minutat e fundit, Milan pati rastin për të shënuar edhe golin e katërt, por Kessie gaboi në penalltinë e fituar nga Calhanoglu.
s.a/dita
