Milan do të përpiqet të lërë pas zhgënjimet e shumta që ka pasur gjatë këtij sezonit, për t’u ngritur në lartësinë e emrit që ka në Champions League. Skuadra e dytë për numrin e titujve evropianë, pas Real Madridit, do të presë sot Atletikon e Diego Simeones dhe Klarens Sedorf evokon ditët e bukura nga e kaluar për të motivuar skuadrën e tij. “Jemi gati dhe të motivuar. Do të përballemi me një skuadër që është në formë të mirë, por kjo nuk na tremb aspak, pasi Champions është habitati natyral i Milanit”, thotë trajneri i kuqezinjve. “Edhe më 2007 nuk ishim mirë në kampionat, por fituam Champions League, ndaj nuk do t’i referohesha gjendjes në renditje edhe tani. Atletiko ka një skuadër që duhet respektuar, është e fortë por ka edhe pika të dobëta, që ne duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum. Shpresoj që djemtë të zhvillojnë një ndeshje të madhe dhe të tregojnë cilësitë e tyre në fushë”.
Sedorf ende nuk e di nëse Kaká do të jetë gati, por shpreson që braziliani të luajë, pasi është ndër lojtarët me më tepër përvojë në Champions League. Ashtu si Sedorf, edhe Simeone injoron renditjen e kuqezinjve në kampionat dhe pret një përballje të fortë. “Ndeshja është shumë e rëndësishme për ne dhe unë pres që të përballemi me një Milan të madh. Duhet të kemi shumë kujdes nga kundërsulmet e tyre”, tha trajneri argjentinas. “Të dyja skuadrat luajnë mirë në sulm, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje. Skuadrat italiane janë cinike prandaj duhet të përpiqemi që të mos i lejojmë shumë raste Milanit. Ata kanë lojtarë të rrezikshëm dhe besoj se do të jetë një ndeshje e hapur. Në këtë ndeshje nuk ka favoritë dhe është fusha ajo që do të japë një përgjigje më të saktë për këtë çështje”. Milani ka histori të madhe evropiane, por Simeone thotë se edhe skuadra e tij gëzon emër të madh: “E respektoj shumë Milanin për historinë që ka, por nuk duhet të harrojmë që edhe Atletiko ka histori. Ndeshja e parë është ajo që të lejon të krijosh më shumë raste dhe unë shpresoj që të bëjmë një ndeshje të bukur”.
Milan – Atletico Madrid
Në katër edicionet e fundit Milani është eliminuar gjithmonë nga skuadra spanjolle, por me Atletikon nuk ka luajtur kurrë. Në katër nga pesë sezonet e fundit, është eliminuar në këtë fazë. Pikë e fortë është mbrojtja, e cila ka lejuar vetëm një gol në shtëpi në katër ndeshje evropiane këtë sezon. Atletiko nuk ka pësuar asnjë humbje në grup, duke fituar pesë ndeshje. Në transfertë nuk mundet në katër ndeshjet e fundit. Është i fortë në të gjithë repartet, ndaj bastexhinjtë sugjerojnë një fitore të spanjollëve, e cila kutohet me koeficient 2.25. Por, duke pasur parasysh që Milan është ekspert në Evropë, ndoshta basti më i mirë do të ishte gol/gol, me koeficientin e lartë 1.95.
Forma (të gjitha kompeticionet)
Milan FHFBHF, Atletico FFLLLF
Statistika
Milan ka fituar vetëm një nga 13 dneshjet e fundit në Champions kundër skuadrave spanjolle
Atletiko i ka fituar tri ndeshjet e fundit kundër skuadrave italiane, golat 8-1
Milan ka fituar vetëm dy nga 12 ndeshjet e fundit në fazën me eliminim direkt në Champions
Atletiko ka mbrojtjen më të mirë në Champions këtë sezon
