Didier Drogba, gati të firmosë kontratën njëvjeçare me kuqezinjtë
Vrasësi i Barcelonës dhe i Bajernit, Didier Drogba, pritet të jetë goditja e madhe e Milanit në merkaton e janarit. Klubi italian ka nisur prej javësh bisedime dhe është shumë pranë zyrtarizimit të sulmuesit nga Bregu i Fildishtë. Lajmi konfirmohet nga media italiane. Raportohet se Milani pret vetëm firmën, ndërsa transferimi do të konfirmohet në ditët e para të vitit të ardhshëm. Në pritje të mbylljes së këtij operacioni kanë dalë edhe detajet e para të kontratës. Didier Drogba do të firmosë një kontratë 1-vjeçare, nga e cila do të përfitojë rreth 3 milionë euro. Sulmuesi afrikan shihet si përforcimi më i rëndësishëm i Milanit në merkaton e janarit, ku emrat e mëdhenj mungojnë, por situata e Drogbasë është e ndryshme. Pas largimit nga Chelsea si kampion i Evropës, futbollisti u transferua në kampionatin kinez, ku nuk arriti të ambientohej. Në këtë mënyrë, ai vjen në Serinë A me parametra zero dhe mund të luajë në Champions League, ku Milani kërkon të ecë sa më shumë, megjithëse duhet të kalojë një pengesë të vështirë si Barcelona. Po ashtu, Didier Drogba do të plotësojë në sulmin milanist hapësirën që do të lihet bosh nga largimi i brazilianëve Pato e Robinho. Të dy sulmuesit kanë kërkuar të kthehen në atdhe, ndërsa operacioni për shitjen e tyre mund të mbyllet në dy-tre ditët e ardhshme.
Në sezonin e kaluar, Drogba ishte heroi i dy gjysmëfinaleve kundër Barcelonës, ku Chelsea arriti kualifikimin e pabesueshëm. Bëmat e tij vazhduan edhe në finalen e madhe, luajtur në Munih, kundër Bajernit. Ai shënoi golin e barazimit në minutën e fundit të ndeshjes, më pas shënoi edhe penalltinë përcaktuese, që i dha titullin skuadrës londineze.