Gianluigi Donnarumma do të fillojë zyrtarisht sot aventurën e tij të dytë me Milan-in, me rastin e ndeshjes së Europa League kundër Craiova-s. Vera e portierit kuqezi ka qenë shumë e nxehtë dhe ndeshja e sotme mund të jetë domethënëse në karrierën e “Gigio” pas polemikave për rinovimin, paraqitja jo e mirë në Europianin Under 21, shtyrja e provimit të maturës për të shkuar në Ibiza etj.
Tani ai duhet të tregojë se i ka harruar të gjitha këto, edhe pse në Milanello kanë tëhë vazhdimisht se lojtari ka qenë gjithmonë i përqendruar dhe asnjëherë nervoz.
HERA E PARË – Ajo e sotmja do të jetë ndeshja e parë europiane e Donnarumma me fanellën e Milan. Një lojtar i nivelit të tij është e drejtë që të fillojë të provojë veten në skenën europiane, pa harruar eksperiencat që ka pasur me kombëtaren Under 21 kombëtaren e parë të Italisë.
Por duhet thënë se portieri nuk është në formën e tij më të mirë, për shkak se i është bashkuar me vonesë ekipit pas aktivizimit me kombëtaren Under 21.
MAGNI – Puna e bërë nga Alfredo Magni, përgatitësi i portierëve te kuqezinjtë, ka qenë shumë e rëndësishme në aspektin psikologjik dhe fizik. Në fakt, në disa raste, Magni ka ndërprerë stërvitjen për të folur me “Gigio”-n për më shumë se çerek ore, gjë që tregon se në këtë rast duhet të merret në konsideratë edhe aspekti psikologjik.
Në të vërtetë, Donnarumma ka kaluar nga të qenit një djalosh 18-vjeçar në një portier që fiton 6 milionë euro në sezon. Për këtë arsye, nuk mund t’i lejojë vetes asnjë gabim dhe kjo mund të shtojë presionin ndaj numrit 99 të kuqezinjve. Në lidhje me këtë Montella ka thënë: “Po mundohem ta kuptoj, ta studioj. Kjo verë e ka bërë të rritet më shpejt, shpresoj që të mos ndikohet nga faktorët e jashtëm. Nuk e di nëse do t’ia dalë, por uroj që të ketë mbështetjen e plotë të tifozëve”.
