Milani i Inzaghit e nisi me fitore dhe gola. Ish-sulmuesi i kuqezinjve debutoi me tre pikë dhe një sukses bindës ndaj Lazios në stol, duke treguar se dëshirën për golin ja ka transmetuar dhe futbollistëve të tij, aq më tepër që shënuan, Honda, Menez dhe Muntari, dy të parët mesfushorë të përshtatur në rolin e sulmuesve. Në ndryshim nga faza përgatitore, ku skuadra ishte pothuajse inekzistente, Inzaghi shfaqi një formacion me një lojë të rrjedhshme, duke treguar se “shuplakat” në miqësore e kanë ndihmuar për të përmirësuar Milanin e tij. Lacio e nisi më mirë, por Milani e nisi ashtu siç duhet, me gol. Honda i dha gaz të tijve që në minutën e 7-të duke mposhtur Berishën.
Goli është ai që të zhbllokon dhe në momentin që Milani u zhbllokua ishte i papërmbajtshëm deri në momentin kur finalizoi sërish në fillimin e pjesës së dytë me Sulley Muntarin.
Jeremy Menez, një prej më të mirëve në fushë për të tijtë nuk mund të mungonte në listën e golashënuesve dhe realizoi në të 64-ën nga pika e bardhë.
Lazio megjithatë nuk hoqi dorë nga loja dhe Djordevic tre minuta më pas me bashkëpunimin e brazilianit Alex mposhti Diego Lopezin, që momentin e tij do ta kishte në fund kur priti penalltinë e Candrevës duke vulosur shifrat përfundimtare në 3-1 për Milanin, që e nis kështu kampionatin me një fitore bindëse.
