Ka studiuar në Fakultetin e Skencave, Dega Informatikë në Universitetin e Tiranës. Ka ndjekur studimet Master dhe studimet doktoriale në Universitetin Paris VI. Ekspericë e gjatë në fushën e telekomunikacionit, menaxhimit dhe studimeve informatike në Francë, por edhe në Shqipëri. Bashkëpunëtore shkencore në Institutin e Informatikës (INIMA) si dhe pedagoge e jashtme. Aktualisht, është kandidate për deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës.
Teknologjia sot, a mbart brenda vetes edhe një lloj fashizmi, pasi shumë njerëz e përdorin apo i vihen në shërbim pa e kuptuar? Ashtu si fashizmi që i përdori njerëzit, pa i lënë të kuptojnë se ku po shkonin?
– Me teknologjinë e sotme, gjithcka çfarë ne bëjmë lë gjurmë, është jetëgjatë dhe gjithnjë e aksesueshme. Në këtë mënyrë, mund të përdoret si për mirë, ashtu edhe për keq. Kur përdoret për keq vërtet ngjan me të, por unë jam e prirur të shoh rolin kyç që ka tashmë teknologjia për demokratizimin e shoqërive.
Unë, në këto intervista, kam folur vetëm me gratë dhe jam fokusuar tek sfidat, perceptimet apo eksperienca e tyre dhe pothuajse nuk flas fare për burrat me to. Kjo që unë jam duke bërë, a mund të quhet një lloj fashizmi?
– Jo. Vendosmërisht jo. Burrat e kanë shumë më tepër fjalën në vendin tonë, kështu që ju jeni i anshëm, por shumë i drejtë.
Si i përjetoi ngjarjet e ’97-‘98?, luftën e Kosovës dhe pavarësinë e saj, një grua shqiptare që jetonte në Francë?
– Gjatë zgjedhjeve të vitit 1996, u ndodha me pushime në Shqipëri dhe e mbaj mend shumë mirë se si u prek vota atë vit dhe se si ajo që po ndodhte do ta çonte vendin pak muaj më vonë në luftë, sepse për shkak të rënies së skemave piramidale filluan trazirat në të gjithë vendin. Ishte një situatë shumë e rëndë dhe përgjegjësit ende edhe sot vazhdojnw të jenë në krye të vendit. Ndërsa lufta e Kosovës për ne, ishte një gëzim i jashtëzakonshëm, u organizuan manifestime në rrugë, evenimente kulturore për të mbështetur këtë luftë të drejtë.
Origjina e vlerave të gruas shqiptare, a ngjason me ato të një franceze?
– Gruaja në Francë të drejtat themelore i ka fituar relativisht vonë. Liritë ekonomike kanë qënë të kufizuara dhe shumë të drejta shoqërore që bazohen pikërisht te liria ekonomike, janë fituar vonë. Ka pasur shumë militante që kanë luftuar në vitet ’70 për të drejtat e grave dhe ia dolën mbanë. Për sa i përket Shqipërisë, pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën diktatoriale, nxjerrja e gruas nga shtëpia në punë, ka qënë një emancipim i jashtëzakonshëm. Me këtë pjesëmarrje fituan për herë të parë, sado të pamjaftueshme, edhe liri ekonomike, duke sjellë një emancipim për të gjithë shoqërinë shqiptare. Kjo përpjekje edhe sot duhet të jetë e pandërprerë dhe e vazhdueshme. Gjithsesi, ne jemi një shoqëri më maskiliste se në Francë, dhe këtu edhe kritikat bazohen te pjesa e feminilitetit, shpesh banal dhe gratë nuk kritikohen mbi përgjegjësitë e tyre publike…
Pse e shkruat librin“Pesha e Pushtetit”?
– Në çastin që fillova të mendoj të shkruaj librin, nuk isha e angazhuar në politikë. Doja të shikoja çfarë përgjegjësie u jep pushteti njerëzve… Kam intervistuar Presidentët dhe Kryeministrat që nga vitet ’90 deri nw 2010. U binda se çdo kryeministër detyrimisht duhet të mendojë për fatet e vendit, pastaj se si e trajton çështjen, fatkeqësisht mbetet çështje personash.
Kam vite që jam kureshtar dhe askush më mirë se ju, nuk mund të ma thotë: Në Francë Telekom, pse ka kaq shumë vetëvrasje?
– Ka shumë legjenda rreth kësaj. Pasi mbarova doktoraturën në Paris, fillova të punoj për Francë Telekom në vitin 1997 dhe kam punuar 15 vite atje. Është një ndërmarrje që ofron shumë mirëqënie për punonjësit. Ka një histori të veçantë, pasi ka qenë një ndërmarrje shtetërore dhe pas liberalizimit të sektorit të telekomunikacionit, u kthye në një korporatë e madhe private. Një pjesë e njerëzve këtë ndryshim e përjetuan keq, por kjo situatë u menaxhua shpejt.
A shkakton edhe politika njëfare varësie, siç ndodh në teknologji?
– Disa elementë teknologjie shkaktojnë varësi dhe kjo ndodh sidomos te të rinjtë, duke u marrë me mënyrën jo produktive të saj. Por në politikw, në kushte normale, ky përvetësim mund të ndalojë shpejt mendoj unë, pasi çdo 4 vjet kemi zgjedhje të përgjithshme dhe në mes tyre kemi zgjedhje lokale. Prandaj është e thjeshtë për votuesin të mos mbetet rob i askujt, atë që nuk i shërben, ta heqë përsëri me votë.
Përdorimi i teknologjisë, a e vështirëson punën e vjedhësve të votave?
– Padyshim që vështirëson manipulimin e votave.
Cfarë mendoni për përgjimet, në telefon, në email-e apo në mjete të tjera komunikimi? A është një gjë e shëmtuar, kur shteti nuk u beson qytetarëve të vet?
– Mbase nga koha e diktaturës nuk jemi mësuar me liri të mëdha dhe kjo na bën më pak tw ndjeshëm. Së pari, përgjimet duhet të jenë legale. Një shtet që i përdor për të ruajtur sovranitetin dhe popullin e tij, deri këtu mund të jetë e kuptueshme, por një qeveri që i përdor për të përgjuar kundërshtarët politikë, për qëllime politike, është krejtësisht e papranueshme. Kjo do të thotë kthim në diktaturë.
A ka në çdo parti përgjues që japin e marrin frymë?
– Padyshim që ka. Pavarësisht se nuk quhem njeri paranoiak, pasi u aktivizova në politikë, kam vënë re disa elemente paranoje. Shpresoj që mos të agravohen.
A i ndodh të gjithëve?
– Besoj se po, por më e keqja nuk është transferimi i fjalëve, por transformimi i tyre.
Çfarë do të jetë arritur, nga ajo që ju dëshironi, në Qershor të 2017?
– Unë dua që krahas të gjitha premtimeve që i kemi në programin qeverisës, çdo nxënës shqiptar të ketë të njëjtin akses në përdorimin e teknologjive të reja dhe kjo si një shprehje lirie. Është një dritare, që të jenë të zot të zenë vend në botën e së nesërmes, pasi e ardhmja duam apo s’duam është teknologjia.
Kjo a mund të sjellë që fëmijët të mos dinë të përdorin penën, të harrojnë të shkruajnë?
– Kjo frikë ka ekzistuar edhe kur u shpik shkrimi, pasi përpara vetëm flitej dhe mendohej se me zbulimin e shkrimit, njerëzit do të mbajnë mend më pak. Në të vërtetë, me shkrimin shoqëria njerëzore u zhvillua shumë, pasi nuk kishte detyrim të mbante mend gjithçka. E çlironte ngarkesën në memorie dhe atë shfrytëzonte për të krijuar diçka të re. Edhe ne, nëse dimë të kërkojmë në teknologji, lemë vend për t’u bërë më kreativë.