Tom Doshi gjatë zgjedhjeve parlamentare deklaroi se mund të sponsorizonte te Vllaznia, qoftë edhe duke u bërë edhe sponsor gjeneral i kuqebluve.
Deputeti dhe biznesmeni i njohur kohët e fundit nuk po kursehet për kuqeblutë, duke i qëndruar pranë ekipit.
Një mbështetje e tillë sigurisht që duhej dhe për lojtarët prej kohësh po shpërndahen premio, teksa një triumf brenda në shtëpi vlen 5 mijë euro, por ai nuk është kursyer edhe pas barazimit me Partizanin, duke ua shpërndarë të njëjtën shumë futbollistëve.
Tanimë “loja” ka nisur të bëhet më e rëndë dhe për të qëndruar në Superiore nuk është aspak e lehtë.
Diferenca mes Vllaznisë dhe Teutës është vetëm tre pikë, por nuk duhet harruar që edhe durrsakët kanë një ndeshje për të luajtur me Lushnjën.
Shkodranët e kaluan me sukses dhe shumë e rëndësishme është sfida e javës së ardhshme në Durrës, ku edhe do të përcaktohet shumë në lidhje me mbijetesën.
Teuta dhe Vllaznia do vihen përballë njëra-tjetrës dhe një triumf i skuadrës së Begejës do i komplikonte shumë gjëra për shkodranët.
Për këtë Tom Doshi ka bërë një tjetër premtim për lojtarët: 10 mijë euro vlen fitorja në Durrës kundër skuadrës vendase.
Por nuk mbaron me kaq, pasi sipas gazetës “Sport Ekspres” kjo shumë do të jetë premtoja e re bazë për fitoret jashtë fushe.
Një motivim ekstra për futbollistët e Vllaznisë, që në fakt e kanë detyrim ta sigurojnë sa më parë qëndrimin në elitë.
Edhe sezonin e shkuar u rrezikua shumë Superiorja, teksa vetëm në javën e fundit ia dolën ta bëjnë realitet objektivin, pas një barazimi me Tiranën në stadiumin “Loro Boriçi” të tejmbushur.
Vjet e provoi në kurriz Tirana rënien, kurse sivjet duket një çështje mes Vllaznisë e Teutës, por edhe Kamza është aty pranë dhe mund të futet shumë shpejt në “valle”, pasi sot luan me Kukësin në shtëpi dhe një javë më pas shkon në Korçë.
a.s/dita

Bravo Tome.
E hedh lekun ne momentin e duhur.
Duket qe ke vizion. Nuk e jep kot lekun.
Besoj se lojtaret do ta shperblejne.
Eshte turp qe Vllaznia te zbrese ne kategori.