“Millenium” është titulli i filmit më të ri që do të mbledhë bashkë tri bukuroshe të ekranit. Olta Goxhari, Eralda Hitaj dhe Klea Huta do të jenë tri protagonistet e filmit të regjisorit Besnik Bisha, ndërsa në role të tjera vijnë aktorë profesionistë si Ndriçim Xhepa, Spiro Duni dhe Enea Zheku. Filmi me pesë seri pritet të nisë xhirimet në 18 mars. Skenari mban gjithashtu autorësinë e regjisorit Besnik Bisha dhe bazohet në një histori të vërtetë, atë të vrasjes së një studenteje në Tiranë, në vitin 1998. Filmi është me pesë seri, një prodhim i Radio-Televizionit publik Shqiptar, me producent Martin Lekën.
Tri vajzat e përzgjedhura për rolin e protagonisteve përfaqësojnë tipa të spikatur vajzash si nga pamja, ashtu dhe nga mënyra e interpretimit. Për Oltën, ky është roli i ri në film pas atij “Pharmakon”, ku interpretoi me Klevis Begën. Ndërsa Eralda Hitaj dhe Klea Huta vijnë nga bota e televizionit.
Ngjarjet e filmit zhvillohen në Tiranë, Kepin e Rodonit dhe në Vlorë, ku edhe do të realizohen xhirimet. Në rolin e studentes që vritet në fund të serialit është Eralda Hitaj.