Duke mos u shprehur as pro, as kundër ofertës që shefi i opozitës Edi Rama lëshoi në drejtim të LSI-FRD për t’iu bashkuar frontit opozitar, një nga aleatët e PS, kreu i PDS, Paskal Milo vlerëson se më e rëndësishme për momentin është konsolidimi i bërthamës së majtë tradicionale dhe përcaktimi qartazi i taktikës elektorale. Në nje intevistë per Ora News, Milo tha se opozita 8-vjecare duhet tu tregojë shqiptarëve se është në përfundim të aksionit të saj për rrëzimin e qeverisë, ndërsa porositi partitë ende të papozicionuara të maten mirë se ku do të shkojnë.
“S’është hera e parë që Rama ka adresuar ftesat për frontin opozitar, e ka bërë disa herë. Cdo parti politike ka vullnetin e saj, por ne si opozitë kemi për detyrë që tu kërkojmë krijimin e një fronti opozitar. Bërthama, mendoj se do jetë blloku i partive të majta në koalicionin aktual që ne ndodhemi. Por nuk e shoh se ka vullnet politik, mbështetur edhe në deklaratat e bëra dje dhe sot nga LSI dhe FRD, për të disatën herë janë duke refuzuar kërkesën e PS për krijimin e një fronti opozitar. Bërthama tradicionale e opozitarizmit 8 vjecar duhet të strukturohet mirë, që të kuptohet se opozita është drejt përfundimit të aksionit dhe programit të saj. Fryma opozitare nuk duhet lënë të shpaloset vetëm në 45 ditë fushatë elektorale. Cdo parti duhet të matet mirë se ku do të shkojë” tha ai.
I bindur në rotacionin politik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ai deklaroi dhe njëherë se partia që ai kryeson do të jetë pjesë e opozitës, e cila përmes programit dhe alternativës së saj do të rrëzojë mazhorancën aktuale, që në gjykimin e Milos nuk ka cfarë tu ofrojë më shqiptarëve.
“Ka një tendencë të qartë bashkëpunimi prej aleatësh dhe partnerësh tradicionalë, kemi një koalicion gati 10 vjecar pa luajtur bishtin si parti të tjera, nuk është në logjikën e PDS të ndryshojë qëndrim.Ne shpresojmë që ky koalicion në të cilin ndodhemi do të fuqizohet, do të bëhet më efektiv. Ka shumë rëndësi taktika elektorale, formula ka , bisedime janë bërë dhe po bëhen në mënyrë që ta konkretizojmë sa më shpejt.Opozita tashmë e ka dhe e shpalos alternativën në programin e saj, dhe nuk është vetëm programi i PS edhe përfaqësues të tjerë të opozitës kanë kritikuar mazhorancën në qeverisjen e dështuar. Lufta kundër korrupsioni, është dështimi kryesor i kësaj qeverie. Sigurisht mazhoranca do luajë rolin e vet, cdo ditë po flet me një gjuhë spekulative. Qeveria aktuale nuk ka më cfarë tu japë shqiptarëve, gjendet e zbuluar përballë këtij realiteti dramatik, në mënyrë të vecantë për shtresat në nevojë. Ndërtimi dhe transporti, dy treguesit kryesorë të zhvillimit të një ekonomie janë në krizë. Shqipëria mund të dalë nga kriza vetëm me ndryshimin e qeverisë” theksoi kreu i PDS-së Milo.
Edhe pse i bindur në fitore, nuk shprehet aq optimist për klimën politike që do të pasojë në ditët në vazhdim, aq më pak për mbajtje zgjedhjesh të lira e të ndershme. Duke mbetur tek standardet zgjedhore, që të arrijmë të nivele të pranueshme, Milo vlerëson se duhet një angazhim i madh i opozitës si dhe vëmendje maksimale e ndërkombëtarëve.
“Politika shqiptare ka qenë gjithmonë e vështirë dhe kjo nga vështirësitë që i ka krijuar vetë. Nëse bëjmë një analizë të këtyre viteve mund tu them që politika shqiptare ka dëshmuar mungesë konsensusi, për rrjedhjojë ka bërë që Shqipëria të mos ecë si duhet. Mendoj se dhe ky vit nuk premton ndryshim cilësor në politikë, kemi zgjedhjet përpara dhe shenjat nuk janë premtuese, ka një tension që do të vijë në rritje, po shfaqet një tension shumë primitiv me akuza të ndërsjellta. Do të ishte mirë që nga kjo luftë të largoheshin familjarët e tyre për të mos e futur këtë fushatë zgjedhore në një rrugë të tillë, akuzat për korrupsion duhen të provohen dhe të kallëzohen në organet përkatëse të mos mbeten në kuadrin deklarativ. Në këtë klimë tensioni që do vijë në rritje nuk do ketë vullnet politik për konsensus, PD nuk është e prirur të zhbllokojë ngërcin ku është futur vendi. Nodhemi para një situate që paralajmëron stuhi politike, varet dhe nga shqiptarët sesi do ta përceptojnë fushatën. Prirja e përgjithshme e tyre është ta shohin këtë mazhorancë në ikje. Mendoj që zgjedhjet e ardhshme do të qëndrojnë brenda standardeve minimalisht demokratike pasi në të tilla kushte nuk shoh arritjet e standardeve maksimale europiane. Mundet të kemi zgjedhje deri diku të pranueshme nëse kemi një angazhim të opozitës dhe vëmendje maksimale të ndërkombëtarëve” u shpreh më tej Milo.
Kreu i PDS-së foli dhe për nacionalizmin, duke e quajtur një kartë të djegur nëse synohet që me të luhet fort gjatë fushatës zgjedhore. Zoti. Milo e konsideroi më tej nacionalizmin një strehë të PD, e cila në mungesë të argumentave dhe të një oferte për shqiptarët, po përpiqet të lobojë një nacionalizëm artificial.
“Kur një force politike, në mënyrë të vecantë një qeverie i mungojnë argumentet atëherë u drejtohet parullave nacionaliste, duan ti ushqejnë shqiptarët me një nacionalizëmartificial për të shfrytëzuar patriotizmin shqiptar për interesa politike të ditës. PD është në garë me partitë e reja që kanë në platformë nacionalizmin. Aq marramendëse është kjo garë, sa bëhen dhe propozime të paarritshme dhe mbeten të parealizueshme për konsum të ditës” përfundoi Paskal Milo.