Nga mbledhja e Komitetit Drejtues Kombëtar të PDS-së, Paskal Milo hodhi piketat e para për zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s për të cilat u shpreh se duhet organizim, program, strategji e taktike e përsosur për t’i fituar ato. Milo u ndal edhe në retorikën e shtuar me sfond nacionalist dhe dëmin që ajo i sjellë Shqipërisë. “Në këtë situatë krize të prekshme e të dukshme ku edhe premtimet abuzive të Kryeministrit nuk gjejnë më veshë për t’u dëgjuar, partia në pushtet ka zgjedhur si kalë beteje të radhës për të hedhur lumin, nacionalizmin. Zakonisht kjo është streha e fundit e regjimeve e qeverive të falimentuara. Kur kjo Qeveri dhe kryetari i saj muaj më parë në përgatitjet për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë shtuan dozën e retorikës nacionaliste nuk pati reagime dhe as keqkuptime për shkak se në këto raste është edhe e justifikuar deri në një farë mase. Përçartjet rreth rishikimit të historisë apo të figurave historike që Kryeministri i bëri në mënyrë inflacioniste në fund të fundit kishin një kosto kombëtare të brendshme e për më tepër askush nuk u besonte”, tha Milo. Zoti Milo, një aleat i PS-së shpalosi këndvështrimin e PDS-së se si duhet të jetë sjellja e opozitës përballë një kundërshtari politik si Sali Berisha. Ai bën thirrje për një front opozitar të bashkuar, ndërsa propozon edhe sloganin “Front dhe Frymë” .