Partia Demokracia Sociale, edhe pse ka qenë pjesë e koalicionit të gjerë fitues të 2013-s, por edhe atij të 2015-s, ende nuk është përfshirë në qeverisje.
Kreu i kësaj force i konsideron marrëdhëniet me PS-në si të ngrira, edhe pse zyrtarisht është në koalicion.
“Presim të shkrihen, nëse do të shkrihen. Bashkë me Kongresin e Partisë Socialiste po vjen edhe pranvera. Nëse ky Kongres do të vendosë që t’i shkrijë këto marrëdhënie dhe t’i fusë në rrjedhën e tyre normale të dikurshme, atëherë edhe ne do të jemi gati”, tha Paskal Milo.
Sipas tij, nëse PS-ja do të ruajë këtë pozicion, kjo nuk ka sesi të mos ndikojë në të ardhmen e Demokracisë Sociale dhe qëndrimet e saj.
“Nëse llogaritë i kanë bërë që nuk do të kenë nevojë për ne, përmes ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, atëherë edhe ne do të shikojmë edhe do të veprojmë në lidhje me atë se çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Nuk duam as që t’u imponohemi dhe as t’u lutemi, askujt dhe për asgjë”, vijoi më tej kreu i PDS-së, Milo. Një vit e gjysmë nga zgjedhjet e përgjithshme, mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i PS-së me aleatët e saj.
