Mimoza Kusari Lila lë qeverinë për kreun e komunës së Gjakovës

anazapta

Mimoza Kusari – Lila ka dhënë të mërkurën dorëheqje nga pozita e zëvendëskryeministres, dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), për t’i hyrë garës si kandidate për kryetare të komunës së Gjakovës nga radhët e Aleancës Kosovare e Re (AKR).

Kusari-Lila në një konferencë me gazetarë, e fundit në cilësinë e ministres, ka folur për të arriturat e sukseset në këtë ministri nga viti 2011 e deri më tash. Kusari-Lila ka thënë se gjatë kohës sa ajo ka qenë ministre është bërë një përparim i konsiderueshëm në përkrahjen dhe zhvillimin e sektorit privat, avancimin e politikave tregtare, përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave, si dhe rregullimin e tregut të brendshëm.

Gjithashtu, ajo ka treguar se gjatë këtyre viteve, ministria të cilën e ka udhëhequr ajo, ka propozuar 21 ligje të reja në Kuvendin e Kosovës, të cilat janë miratuar në tërësi.

Gjithashtu, ajo ka thënë se deri më tani, në këtë legjislaturë, ministria ka propozuar 51 udhëzime administrative të cilat janë nënshkruar, 18 në vitin 2011, 19 në vitin 2012 dhe 14 në vitin 2013.

Më tej, ajo ka thënë se në kuadër të mandatit është funksionalizuar Këshilli kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe siç ka thënë ajo, ky këshill, ka hartuar dhe ka aprovuar platformën e politikës zhvillimore 2012-2014.

“Këshilli ka iniciuar ndryshimin e ligjit të festave zyrtare, i cili është dërguar në Qeveri për aprovim. Gjithashtu, këshilli ka iniciuar ndryshimin e Ligjit të Punës, gjithashtu ka aprovuar idenë e MTI-së për blerjen e produkteve vendore në kontrata publike dhe amendamentimin e Ligjit të Prokurimit Publik, i cili pritet të përcillet në Qeveri për miratim javën e ardhshme”, ka treguar ajo.

Ndër të tjerash, ajo ka thënë se gjatë punës së saj, në mandatin e udhëheqjes së MTI-së, nuk është penduar për asgjë, që nuk ka mundur të realizojë.

Përveç prezantimit të punëve të realizuara, Kusari- Lila ka prezantuar edhe punët nga MTI, që janë afër finalizimit e që nuk dihet tashmë se kush do t’i përfundojë ato, pasi që deri më tash nuk është bërë e ditur se kush do ta udhëheqë këtë dikaster. / Zëri

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *