Ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, njëherësh një ndër anëtarët më të vjetër të Partisë Demokratike, Vili Minarolli, ka thënë se humbja e PD-së në zgjedhje, ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit të partisë.
“Humbja e zgjedhjeve erdhi edhe nga mosfunksionimi normal i jetës së brendshme të partisë, që nga caktimi i listës së kandidatëve për deputetë, duke rinovuar një numër të madh kandidaturash, personalizimi i fushatës zgjedhore nga lidershipet e partive”, thotë Minarolli për “Shqip”.
Duke u ndalur tek roli i Berishës në PD-së, pas zgjedhjes së Bashës në krye të partisë, ai ka thënë se ai do të jetë këshilluesi i këtij të fundit.
“Zoti Berisha ka qenë drejtues shteti dhe drejtues i PDSH-së që nga themelimi i saj dhe ky drejtim ka qenë vetëm histori suksesi në PDSH. Unë mendoj se zoti Berisha duhet të jetë një këshilltar me shumë vlerë për lidershipin e ri të PD-së dhe jam i bindur se ai di ta luajë shumë mirë edhe këtë rol”, shprehet ai.
Në fund, Minarolli ka vlerësuar vizitat e fundit të Ramës në disa shtete të rëndësishme për marrëdhëniet e Shqipërisë, si në Itali apo Turqi. Ai ka vlerësuar gjithashtu edhe ministrant e rinj.
“I vlerësoj zgjedhjet që ka bërë kryeministri i ardhshëm. Vlerësoj faktin që shumica e anëtarëve të kabinetit janë në këtë detyrë për herë të parë, por kanë kapacitetet dhe përgatitjen e duhur për ta kryer me sukses detyrën e re”, tha Minarolli.