Bulqizë- Vijon kalvari i pritjes për 700 minatorët e Bulqizës, të cilët as sot nuk do mund të marrin pagën e 13-të ashtu sic ju njoftua mbrëmjen e djeshme. Kreu i Konfederatës Sindikaliste Kol Nikollaj njofton se për shkak të pushimit të bankave, minatorët do të mund të marrin rrogën vetëm ditën e hënë. Minatorët e Bulqizës dhe metalurgët e ferrokromit në Burrel kërcënuan se do bllokojnë punën dhe vetëm disa orë pas protestës, kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, njoftoi se ACR-ja e ka kaluar pagën e 13-të në llogaritë e minatorëve. Rreth 700 minatorë të Bulqizës kanë protestuar ditën e djeshme në qendër të qytetit për pagën e 13-të, pagë të cilën ACR-ja ua kishte premtuar, si detyrim edhe nga kontrata e nënshkruar me minatorët. Gjatë protestës, minatorët paralajmëruan ACR-në se, në rast se nuk u jepte shpërblimin, do të bllokonin pusin e 16-të të minierës. Ndërkohë, kësaj proteste iu bashkuan edhe metalurgët e Burrelit, të cilët gjithashtu kanë kërkuar nga ACR-ja pagën e 13-të.