Nuk kanë të ndalur problemet me të cilat po përballen personat me aftësi të kufizuara. Pavarësisht përcaktimeve të bëra në ligj, pjesa dërrmuese e kësaj kategorie po gjendet përballë vështirësive të shumta të mosmarrjes së pagesave që u takojnë, çka po rëndon gjithnjë e më shumë kushtet e tyre të jetesës.
Konkretisht vetëm pranë njësisë bashkiake numër 9 në kryeqytet dhjetëra persona që vuajnë nga aftësia e kufizuar kanë muaj të tërë pa marrë kompensimet e energjisë elektrike dhe telefonisë fikse. Kompensimi që njësitë bashkiake duhet të ndajnë për këtë kategori, kap vlerën e 3 000 lekëve, e cila ndahet në 2 000 lekë për energjinë elektrike, si dhe pjesa e mbetur i atribuohet kompensimit të faturës së telefonisë fikse. Duke apeluar për më shumë përgjegjësi nga drejtuesit e pushtetit lokal, Romeo Deda (i verbër) është një nga përfaqësuesit e kësaj shtrese që vë në dukje betejën njëvjeçare të pritjes së kompensimeve të faturës së energjisë elektrike.
Endjet disamujore të familjarëve të tij nëpër dyert e kësaj njësie bashkiake kanë dështuar pasi e vetmja përgjigje e marrë është ajo e mungesës së fondeve që do të mundësonte ndarjen e kësaj pagese. Në një prononcim të dhënë për gazetën “Dita”, e ëma e Romeos tregon se në njësi të tjera bashkiake janë ndarë këto pagesa ndërsa tek 9-ta një gjë e tillë nuk ndodh prej muajsh.
“Kjo pagesë nuk ndahet që nga maji i 2012-s, kohë në të cilën na u kërkua që të bënim listën e dokumenteve përkatëse të përfitimit të këtij kompensimi, të cilat i depozituam pranë organeve përgjegjëse. Tashmë ka kaluar më shumë se një vit dhe ne ende nuk po marrim një përgjigje se pse po vonohet ndarja e kompensimeve të energjisë elektrike.
“Sa herë që vijmë në dyert e kësaj njësie bashkiake për të kërkuar një përgjigje ndaj këtij ngërçi të krijuar, punonjëset na thonë se nuk ka fonde për ndarjen e këtyre kompensimeve”, deklaron nëna e Romeos. Më tej ajo shton se në njësi të tjera bashkiake janë ndarë këto kompensime: “Të afërmit e mi që jetojnë në Gjirokastër dhe kanë të njëjtin status si im bir, tashmë i kanë marrë kompensimet e energjisë elektrike”.
Kundrejt këtij shqetësimi, burime pranë buxhetit të Shërbimit Social Shtetëror na konfirmuan se fondet për kompensimet e energjisë dhe telefonisë fikse janë në një zë me ato të pagesës së aftësisë së kufizuar. Po të njëjtat burime shtojnë se fondet për kompensimet janë planifikuar, çka do të thotë se fondet u kanë kaluar drejtuesve të pushtetit vendor dhe se këta të fundit janë përgjegjës në lidhje me ndarjen e këtyre pagesave.
Përballë këtij fati të vështirë janë vënë edhe shumë persona të tjerë të cilët krahas kompensimeve, kanë vuajtur për një kohë të gjatë edhe mungesën e marrjes së pagesës së aftësisë së kufizuar, e cila shpërtheu si problem masiv në shumë rrethe. Bllokimi disamujor i këtyre pagesave erdhi si shkak i papërgjegjshmërisë së pushtetit vendor në ndarjen e fondeve të planifikuara. Për mijëra persona të kësaj kategorie, kjo pagesë është e vetmja formë e mbijetesës, duke qenë se nuk kanë të ardhura të tjera shtesë.