E gjithë katrahura ime publike u mboll dhe u shkul rrufeshëm në një ditë të vetme.Sepse përpara asaj dite gëzoja statusin e një kokërrze rëre në shkretëtirë, me gjithë avantazhet dhe peripecitë e kokërrzës së rërës.Me fitoren e zgjedhjeve, plot 6 muaj pas numërimit të votave të vlefshme e të pavlefshme, të numëruara në kazanët e plehrave të Sharrës nga ambasadorët dora vetë, e pas pranimit të humbjes nga Berisha(natyrisht që me ndërmjetësimin e OKB-së), Edi Rama më në fund u ngarkua të formonte qeverinë e re. Kështu, ai filloi konsultimet në Twiter e Facebook për listën e ministrave me ose pa portofol, e si një rrufe në qiell të pastër, mbërriti në faqen time në Facebook ftesa e Ramës për ministër Rendi. Në fakt ishte hapur një llotari kombëtare për këtë punë dhe unë kisha blerë nja tre bileta, por nuk besoja se vërtetë shansi do më binte mua. Pas shock-ut fillestar, unë pranova ftesën vetëtimë e Rama, pa humbur kohë, shpjegoi në Twiter me njëqind e dyzet gërma zgjedhjen time në postin e ministrit, duke vlerësuar kontributin tim si rilindas i shquar dhe refugjat i orëve të para. Pa kaluar as sekondi, replikoi Berisha në faqen e tij në Facebook, duke u shpjeguar tre milionë fansave të tij se unë paskësha qenë kryetar i klanit të Zem-hunit, grupit më të rrezikshëm, që merrej me trafikun ndërkombëtar të groshëve.Berisha më akuzoi se kisha vrarë edhe sulltan Muratin, por doli ambasadori turk e sqaroi se akuza ishte pesë shekuj me vonesë e se Turqia e përshëndeste emërimin tim. Megjithatë vërshuan urimet në faqen time në Facebook, në televizorë e shtypin online. Më uruan ambasadorë, këshilltarë të Evropës që për herë të parë ua dëgjoja emrin e m’a dëgjonin, këngëtarë hip e këngëtare hop, shoqata, OJQ e QJO e gjer tek grupi Polifonik LGA (Lazarati për Gjelbërimin e Ambjentit). Natyrisht që kryetarët e bashkive të burgjeve më ofruan si homazh titullin e qytetarit të Nderit në mungesë.Por, pas kësaj, ishte logjike që do vërshonin kërkesat.I pari ishte nipi, që kish tre vjet i diplomuar në universitetin Evropian për ekonomi evropiane, por fatkeqësisht i papunë.Mesazhi i tij i shkurtër më kujtonte që duhej t’a vija të parin në listë, domethënë ndonjë tip drejtori financiar, ose në rastin më të keq edhe zv/ministër.”Opo është në metro ky?”- protestova unë me vete, duke i dhënë të drejtë ankesave të vëllait tim, që gjithmonë më thoshte se më mirë t’i kishte investuar paratë e shkollimit të djalit në llotosport sesa për një diplomë private.Brënda pak minutash më mbërritën tërë ato kërkesa, sa mbusha dy lista e prapë më dolën tepër ca emra.E tepërt të kujtoj se të shumtët i hynin në hak njëri – tjetrit për të njëjtin post, biles më prepotenti ishte një kushëri i parë i gruas, që me pseudonime të ndryshme më kërkonte postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë.
– Po ky e ka lënë shkollën që në tetëvjeçare, çfarë dreq drejtori do ky?! – protestova unë tek gruaja.
– Uh, se këta që ishin deri dje kishin mbaruar në Stamboll – m’a ktheu gruaja, që më sqaroi pastaj se djali i hallës sapo kishte azhornuar statusin e tij në Facebook, duke deklaruar dy diploma amerikane për biznes e disa curriculum-e si president i disa shumëkombësheve dhe kompanive të famshme në botë.Nuk pata kohë të protestoja, se unë do drejtoja një dikaster mizerje me dy gjellëtore e ca Mitsubishi të vjetra, që jashtë i quajnë makina epoke, jo shumëkombëshe dhe kompani të nivelit të Coca-Cola.Por edhe të tjerët nuk mbetën prapa.Brenda orës ndryshuan dhe ata statusin në Facebook, duke shtuar diploma e universitete të njohur e panjohur, mastera e tituj honorifikë, përpara të cilëve Anshtajni dukej kollavar me shkollë nate.Faqja ime në Facebook shkoi në tilt nga numri i pazakontë i atyre që më kërkonin miqësi, duke detyruar qendrën e Facebook-ut në Amerikë të punonte me tre turne e të më kërkonte ndjesë për vonesën e transmetimit të të dhënave.Meqë ishim aty, Zuckerberg dora vetë më uroi për postin e në emër të kompanisë më bëri urimin edhe për 1 miliard përdoruesit e Facebook-ut.Fqinjët e mi, pa dijeninë time, filluan të bëjnë roje në hyrje të pallatit gjersa të vinin dhe t’a merrnin situatën në dorë rojet e Gardës, shoqëruesit e shoferët, ndërsa ia mbërritën në shkallët e pallatit reporterë e kameramanë, me ato tubat e gjata të mikrofonëve dhe emrat e kanaleve televizivë në evidencë në kuti gjiganteske kartoni, saqë më duhej të zgjatesha për t’u dukur edhe unë.Aty për aty u improvizua një konferencë shtypi nga ballkoni i shtëpisë.Unë, pasi falenderova Ramën për besimin, u zotova se do forcoja policinë duke shtruar rrugët, ngritur hidrocentrale, ndryshe nga qeveria paraardhëse e Berishës, që e premtonte këtë duke rritur rrogat e mësuesve e duke shpikur shkollat private.Pas deklaratave të para, vendosa të bëj si gjithnjë pazarin në supermarket e doemos reporterët dhe kameramanët më shoqëruan, të interesuar të zbulonin se çfarë do blija në ditën time të parë si ministër i qeverisë që do vinte pas një muaji.Drejtori i supermarketit më shoqëroi personalisht, duke shtuar se ofendohej sikur unë të paguaja sendet që do blija.Sot ishte dita ime; çdo shpenzim ofrohej falas nga stafi i supermarketit.Unë natyrisht që kundërshtova duke pranuar dhuratat, ndërsa nxitova të deklaroj se ky shpenzim nuk llogaritet nga komisioni i Deklarimit të Pasurive, pasi ishin dhurata.Do vazhdonte edhe më kënaqësia e favoreve të vogla sikur Rama të mos nxitohej brenda ditës e të sqaronte në Twiter se për një gabim të thjeshtë ortografik nuk isha emëruar unë ministër, por një tjetër adashi im, me CV të shquar e me shumë kontribute, që kish qenë fis deputeti brez pas brezi, që nga koha e Hyqymetit.Oh, ç’deluzion! Më mbeti në dorë qeska me ushqime e supermarketit e sakaq mendova se drejtori do dilte i alarmuar të më sillte faturën, duke fshirë i djersur mirësjelljen e qëndisur të pak minutave më parë.Reporterët dhe kameramanët u tërhoqën në panik, të zhgënjyer nga alarmi falls i emërimit tim ministër, a thua se faji ishte imi?! Fqinjët lanë me habi shërbimin e improvizuar të rojes, ndërsa unë protestova energjikisht në faqen time të Facebook, por asnjeri nuk shtypi ”Pëlqej” në shenjë solidariteti.Siç duket, po vraponin të kërkonin miqësi e të shënonin emrat në listën e re të ministrit pa gabimin ortografik.Pas disa ditësh qëndra e Facebook nga Amerika më përgëzonte që kisha arritur brenda një dite të bëja treqind mijë miq të rinj, e kështu ata më jepnin si shpërblim pa asnjë kusht edhe dymijë miq të tjerë, të zgjedhur pa përzgjedhje nga të katër cepat e planetit. Epilogu? Sapo u zgjova nga gjumi i pasdites, u binda se paskësha qënë në një ëndërr profetike.

🙂 🙂 🙂
Po sa i shkurtër ky gjumi i pasdites, ah sikur të zgjaste dhe pak, në FB do më kishe dhe mua .Nuk ishte thjesht zgjim nga gjumi por ti “RILINDE”.
Ministrat tanë kanë kohë që janë zgjedhur,psh. ai i rendit ka vite që u bërtiste policëve e i fyente ,por harronte që zyrtarisht nuk ishte akoma ministër.Gjithsesi do jemi të gjithë të kënaqur që do ndryshojë i gjithë sistemi (i vjedhjes) .
ha…ha….ha…..
Juli,”ministri”ishte me shaka,por ben vaki dhe endrrat dalin,ndersa ortografia ketu nuk rrjedh direkt nga italishtja e emrit orto(bahçe),hahahhaaa.Desha te sqaroj se jashte çdo dyshimi çdo qeveri te vije do beje zgjedhjet e saj e duke qene vend i vogel detyrimisht i gjejme shpejt kusherinjte dhe miqte,me gabime,pa gabime;F.Scott Fiztgerald ne nje rrefim kujton se shume njerez ngjizjen e gabimeve te tyre e quajne eksperience.Ne disa kuptime ne rilindim,jo veç emocionalisht,por edhe biologjikisht,me duket çdo 80 dite ne rekuperojme 100%te celulave,pra biologjikisht jemi tjeter,siç thote Rimbaud”Une eshte nje tjeter”.Kujtoj se Rilindja ishte nje fenomen e pastaj Levizje apolitike,mbi krahinizmat e mbi tenderat e rrugeve,u stimulua veçanerisht nga krijuesit letrare,per te cilet kam rastin te mburrem se jane gjithmone me perpara pjeses tjeter te intelektualeve,por keshtu ka ndodhur historikisht qe nga antikiteti.Ia kalofsh mire,me gezon sinqerisht fakti qe te djathtet lexojne”majtas”.
Fantazi madheshtore per piano e orkester por pas gjumit te drekes “fantazi me fyell” backe(nga ma mer mendja se duhet të jesh o besnik). Endrra te medha shikon njeriu i shkrete por dhe telashe te medha nese ato realizohen ne këte fshatin tonë te madh ku te tere te dalin kusherinj e kusherira. Raporti endërr -realitet i trajtuar mjaft bukur. Por qe shkaterrohet nëse nuk do te jesh nje xhongler i jashtezakonshëm dhe udhetar i palodhur per te hapur rrugen ne xhunglën tone te anarkise e marrezisë. Zgjimi pas nje gjumi shumë te shkurter këtë kuptim me duket se ka, i nderuar besnik! Shkrim i bukur qe te ben te perjetosh te dy anet e realitetit tone te trishte!?
VR!!! Fantazi madheshtore per piano e orkester por pas gjumit te drekes “fantazi me fyell” backe(nga ma mer mendja se duhet të jesh o besnik). Endrra te medha shikon njeriu i shkrete por dhe telashe te medha nese ato realizohen ne këte fshatin tonë te madh ku te tere te dalin kusherinj e kusherira. Raporti endërr -realitet i trajtuar mjaft bukur. Por qe shkaterrohet nëse nuk do te jesh nje xhongler i jashtezakonshëm dhe udhetar i palodhur per te hapur rrugen ne xhunglën tone te anarkise e marrezisë. Zgjimi pas nje gjumi shumë te shkurter këtë kuptim me duket se ka, i nderuar besnik! Shkrim i bukur qe te ben te perjetosh te dy anet e realitetit tone te trishte!?
Realiteti lakuriq i Shqiperise! Shpresoj se qeveritaret e rinj te mos bien pre e ketij mentaliteti te kultivuar ne persosmeri qe mund te shkaterroje edhe njeriun me te ndershem.
Shumë i bukur.