Ndërrohen truprojat e të gjithë prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Prokurorisë për Krime të Rënda. Vendimi është marrë nga ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Mësohet se të gjithë punonjësit që kanë shërbyer si truprojë për prokurorët janë dërguar nëpër rrethe të ndryshme, si Shkodër, Fier apo Gjirokastër.
Nga ana e prokurorëve deklarohet se kjo është thjesht lëvizje politike dhe tendencioze, pasi shumë nga truprojat e lëvizura kanë vite që punojnë në këto institucione dhe nuk ka pasur arsye për t’i lëvizur.
Por nga Ministria e Brendshme deklarojnë se truprojat janë lëvizur si pasojë e ristrukturimeve që po bëhen.
Nga ana tjetër prokurorët kanë deklaruar se nuk do të pranojnë truproja të tjera, teksa shumë prej truprojave, pas lëvizjeve të bëra janë shprehur se do të largohen fare nga Policia e Shtetit.
Vendime të tilla që sjellin marrëdhënie të acaruara mes ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme vijnë në fakt pas një vijimësi ngjarjesh të tjera, që vazhdojnë të tregojnë se sa të acaruara janë marrëdhëniet mes qeverisë dhe përfaqësuesve të akuzës.
Një rast i tillë ka qenë edhe fakti i lënies së Prokurorisë së Tiranës me ruajtje nga policia private dhe jo policia e Shtetit.