Bode: Viti 2012, viti më i vështirë ekonomik. Deklaratat e tij vijnë në kundërshtim me ato të shefit të qeverisë
Shefi i financave të ekzekutivit shqiptar, Ridvan Bode ka pranuar dje për herë të parë publikisht se viti 2012 është viti më i vështirë ekonomik që ka kaluar Shqipëria. Deklarimi i tij erdhi para ligjvënëseve të komisionit të Ekonomisë, gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2013.
Viti 2012 sipas Ministrit të Financave ishte ndër më të vështirët. “Inflacioni këtë vit ishte rreth 2 për qind, papunënsia 13.3 për qind me një rënie 0.2 për qind”, u shpreh Bode duke shtuar se “të ardhurat janë rritur 2 për qind nga 7.6 për qind të parashikuara në fillim të vitit”. Por sipas tij edhe pse dhe pse ka deficit , të ardhurat janë me rritje dhe kjo duhet të cilësohet si pozitive, duke argumentuar si tkurrjen kryesore të ekonomisë kushtet atmosferike. Deklaratat e tij vijnë në kundërshtim me ato të shefit të qeverisë, Sali Berisha, për rritje ekonomike, duke pranuar kështu që në fund të vitit nuk do të jenë realizimet e pritura.
Ja pse e hoqëm kufirin e borxhit publik
Gjatë prezantimit të buxhetit 2013, Ministri i Financave ka argumentuar se pse duhet të miratohet një draft i tillë dhe pse duhet hequr kufiri i borxhit publik. Sipas tij drafti reflekton specifikat e vitit 2013, duke pranuar në një farë mënyre vitin elektoral. Bode cilësoi në këtë prezantim se “situata energjetike për shkak të specifikës me problematikën e CEZ dhe situatën e mbartur nga viti 2012” dhe se “viti 2013 është vit elektoral dhe duhen ruajtur balancat”, janë arsyet kryesore pse është bërë një draft projekt me specifika të tilla, duke argumentuar se “rritja ekonomike parashikohet të jetë 4 për qind, kjo më e lartë se vendet e rajonit”. Një sektor që mbetet i paprekur nga kriza dhe që sipas Bodes ka mundësi potenciale për të reaguar pozitivisht është sistemi bankar. Sipas tij bankat kanë fitim të mjaftueshëm për të mbuluar moskthimin e kredive.
Për vitin e ardhshëm qeveria ka parashikuar një rritje të deficitit në masën 3.5% të PBB dhe një borxh që mund të arrijë deri në 62.6% e PBB. Ministri Bode argumentoi se rënia e ritmeve të rritjes dhe zbehja e kreditimit të ekonomisë kërkon domosdoshëmrisht reagim të qeverisë përmes investimeve. Në projekt-buxhetin e paraqitur nuk përfshihen të ardhurat nga privatizimet që janë në proces, por, sipas zotit Bode, nëse këto privatizime kryhen me sukses, të ardhurat do të shkojnë në radhë të parë për uljen e deficitit dhe borxhit.
Varianti i Qeverisë për buxhetin 2013
Qeveria shqiptare miratoi gjatë kësaj jave projekt-buxhetin e vitit 2013, duke zgjedhur variantin që parashikon rritjen e nivelit të borxhit publik me pothuajse 3 për qind mbi nivelin e përcaktuar. Ministria e Financave pati dërguar në qeveri dy variante për projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm, ku njëri ruante nivelin e borxhit në 60 %, ndërsa i dyti e kalonte këtë limit. Kështu, sipas draftit të buxhetit, të ardhurat janë parashikuar në vlerën 360.6 miliardë lekë, shpenzimet 409.5 miliardë lekë, ndërsa është parashikuar të ketë një deficit buxhetor prej 48.9 miliardë lekë. Fondi rezervë do të jetë në vlerën prej 1,5 miliardë lekë, ai i kontigjencës 800 milionë lekë. Gjithashtu, gjatë vitit të ardhshëm do të rriten sërish pagat dhe pensionet. Sipas kreut të ekzekutivit pagat e larta do të rriten me vetëm 1%, ndërsa të arsimtarëve, mjekëve, infermierëve, por edhe pensionet do të pësojnë një rritje sa dyfishi i normës së inflacionit. Për këtë qëllim fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve në projekt-buxhet është parashikuar në vlerën prej 2,5 miliardë lekë. Kjo është një nga pikat e rëndësishme të projekt-buxhetit, ku rreth 820 mijë familje shqiptare, sipas kryeministrit, do të përfitojnë një rritje të pagave dhe pensioneve, dy herë më të lartë se inflacioni. Referuar të dhënave zyrtare, inflacioni për muajin tetor ishte 2.4 për qind. Kjo lë të kuptohet se rritja e pagave dhe pensioneve mund të jetë rreth 5 deri në 6 për qind. Ndërkohë për të mbështetur rritjen e borxhit në buxhetin e vitit të ardhshëm qeveria vendosi të shfuqizojë terësisht nenin që përcakton tavanin prej 60 përqind, duke mos përcaktuar një limit tjetër ligjor për përqindjen e huamarrjes.
Opozita: Buxheti shkel detyrimet ligjore dhe kushtetuese
Deputetja socialiste, Mimi Kodheli ka kundërshtuar projektin e propozuar nga qeveria. “Ky buxhet ka shkelur detyrimet ligjore dhe kushtetuese, duhet të ishte paraqitur buxheti me 1 nëntor”, u shpreh Kodheli në mbledhjen e djeshme të komisionit të ekonomisë, ku sipas saj “kjo tregon se ka pasiguri të të dhënave nga mos realizimi i objektivave të këtij viti”.
Ndërkohë duke ju referuar projekt-buxhetit të vitit 2013, që tashmë po diskutohet në këtë komision zonja Kodheli qartëson se “kemi kaluar nivelin e borxhit kundrejt PBB-së dhe në vitin 2013 keni hequr limitet e borxhit dhe nuk keni përcaktuar asnjë borxh”. Sipas saj kjo kërkon transparencë. “Pse ekonomia ndodhet në këtë situatë anormale, pasi ka një segment borxhesh të fshehura”, u shpreh Kodheli duke shtuar se “ekonomia nuk e përballon dot këtë borxh, është me i larti në rajon”. Por deputetët e opozitës ofrojnë bashkëpunim teknik për ta përmirësuar buxhetin, me kusht që qeveria të bëjë transparencë për gjendjen e borxheve të prapambetura.