Ministria e Diasporës

editor

Më 23 qershor 2013, emigrantët shqiptarë emigruan drejt vendit të tyre për të mundësuar votimin në zgjedhjet parlamentare. Një pjesë u nisën të organizuar nga vetë subjektet politike dhe një pjesë personalisht me dëshirën e madhe për të vendosur me votë për qeverisjen e vendit të tyre amë. Paçka mënyrës se si erdhën e ikën, me avion, traget a makinë, të organizuar apo jo, ajo çka është e rëndësishmë është fakti që: emigrantët shqiptarë më 23 qershor 2013 erdhën në masë dhe morën pjesë përmes votës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të Shqipërisë. Edhe sikur vetëm kaq, ata meritojnë respektin dhe mirënjohjen. Por le të mos harrojmë se pa diasporën shqiptare, sot Shqipëria do të ishte shumë më e varfër, më e pa zhvilluar dhe me një elitë akoma më të mangët.
Të ardhurat e emigracionit, investimet e ndryshme nëpër Shqipëri, në biznese e koorporata, investimet në sektorin privat dhe atë publik, ndihmat për studentët ekselentë etj., janë disa nga ndihmat e vazhdueshme që ka bërë diaspora shqiptare. Kështu, prej kohësh përmes artikujve kam shfaqur haptazi mendimin e ekzistencës së një ministrie të posaçme për diasporën, emigracionin e shumtë shqiptar nëpër botë.
Me aq sa flitet dhe është premtuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH), si forca udhëheqëse e koalicionit fitues Aleanca për Shqipërinë Europiane (ASHE), Ministria e Diasporës do të jetë një nga risitë e qeverisjes së re. Por për ngritjen e saj, natyrisht duhet marrë mendimi i vetë diasporës, pra emigracionit. Pa ndihmën dhe propozimet e sugjerimet e tij është e pamundur të arrihet në një ndërtim serioz të kësaj ministrie.
Përpara se të ngrihet kjo ministri, politika shqiptare duhet të ndërmarrë hapin që të formohet qarku i 13-të për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Qarku i 13-të duhet të jetë vetëm për emigracionin. Qarku i 13-të duhet të ketë doemos jo më pak se 5 deputetë. Sipas përqindjes së shpërndarjes së shqiptarëve në vendet e botës, ashtu duhet të realizohet edhe shpërndarja e mandatave. P.sh. fjala vjen Greqia dhe Italia, që kanë më shumë emigrantë se vendet e tjera, duhet të kenë një ndikim më të madh dhe një vesh më shumë. Kështu, emigrantët duke u ndier më të vlerësuar do të rritin domosdoshmërisht akoma më shumë vëmendjen e tyre, rrjedhimisht edhe të ardhurat në drejtim të Shqipërisë, duke “fryrë” buxhetin e shtetit, mbushur arkën.
Për ngritjen e Ministrisë së Diasporës duhet:
a) Të dëgjohen me vëmendje propozimet e emigrantëve, sidomos atyreve që jetojnë dhe kontribuojnë në vendet Perëndimore.
b) Të ngrihet një grup pune, përpos ekspertëve të koalicionit fitues, edhe me shqiptarë të diasporës nga SHBA, Gjermani, Itali, Belgjikë, Angli, Francë, Suedi, Danimarkë, Hollandë, Zvicër, Greqi etj.
c) Grupet e punës të ngritura, të asistuara nga ekspertët vendës dhe të huaj, duhet të hartojnë disa projekte, nga të cilat miratohet ai që merr vlerësimet më të mëdha nga ekspertët e fushës.
d) Të emërohen më së shumti në pozicionet kyçe emigrantët me kontribute dhe të aftë profesionalisht.
e) Në krye të dikasterit duhet të qëndrojë medoemos një njeri me kontribute, i aftë potencialisht dhe që e njeh mirë diasporën shqiptare.
f) Në trupin diplomatik shqiptar nëpër botë duhet të ketë një ndërthurje mes Ministrisë së Diaporës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Jo çdo gjë duhet të lihet në dorën e kësaj të fundit, porse gjysma e emërimeve të vijë nga MD dhe gjysma nga MPJ, në mënyrë që emërimet të mos monopolizohen dhe bëhen atribute vetëm të një dikasteri.

*Autori është botues & kryeredaktor i “NacionalAlbania”

Share This Article
1 Comment
  • Po bukur po çfare do beje me shume nje Ministri e Diaspores, kur detyrat e saj i ben Ministria e Punve te Jashtme. Jemi vend qe mezi paguajme qirate e ambasadave dhe tani u dashka nje ministri fantazme. Edhe Ministria e Integrimit eshte kot fare pasi dublon Ministrine e Puneve te Jashtme. Mania per te pasur sa me shume ministri eshte e vjetuar dhe demode. Nje vend i vogel si Shqiperia nuk ka nevoje per me shume se 7 – 8 ministri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *